Papa Leoni XIV po përgatitet të vizitojë Libanin këtë vit, në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar që pas zgjedhjes në krye të Kishës Katolike në muajin maj.
Lajmi u konfirmua nga Kryepeshkopi Paul Sayah, përfaqësues i lartë i Kishës Katolike në Liban, i cili tha për BBC se data e vizitës së Atit të Shenjtë është ende në shqyrtim.
Kjo vizitë ka një simbolikë të veçantë për Papën e parë amerikan, i cili e ka theksuar shpesh nevojën për paqe dhe dialog në Lindjen e Mesme.
“Libani është një vend dialogu dhe bashkëjetese ndërfetare, ku myslimanët dhe katolikët bashkëjetojnë me respekt”, tha Peshkopi Sayah, duke nënvizuar se prania e Papës do të dërgojë një mesazh shprese për të gjithë rajonin.
Spekulimet për destinacionin e parë jashtë Italisë kanë qenë të shumta, pasi vizitat papnore shpesh pasqyrojnë prioritetet e një papati. Në dekadat e fundit, ato janë shndërruar në gur themeli të shërbimit papnor, duke bashkuar komunitetet katolike dhe forcuar diplomacinë e paqes.
Libani, vend me mbi dy milionë katolikë dhe një histori të gjatë fetare, ka një rëndësi të veçantë për Selinë e Shenjtë.
Së fundmi, Papa Leoni shprehu solidaritet me popullin libanez në përvjetorin e tragjedisë së portit të Bejrutit, duke e cilësuar Libanin “të dashur dhe të vuajtur” dhe duke e vendosur në qendër të lutjeve të Kishës.