Udhëheqja e re në LSDM, edhe Spasovski jep dorëheqjen

Nënkryetari i LSDM-së, Oliver Spasovski, dha dorëheqjen nga posti që mbante mëngjesin e sotëm.

Dorëheqja e tij ishte e paralajmëruar, pasi kujtojmë se më parë ishte shprehur se nuk e shihte veten në ekipin e ri të kryetarit të partisë, Dimitar Kovaçevskit.

“Këtë mëngjes dërgova dorëheqjen time nga funksioni i nënkryetarit të LSDM e cila do të shqyrtohet në seancë sonte në Bordin qendror të partisë, ku gjithsesi edhe unë do të marrë pjesë. Vlerësoj se kryetari i ri i LSDM duhet të zgjedh ekip të ri. Unë 28 vjet kam investuar në parti, ndërsa a do të mbetem edhe më tej ministër për punë të brendshme do të dihet pas 1 janarit”, tha Spasovski.

Pritet që në seancën e Bordit Qendror të konfirmohet kryetari i ri i partisë si mandatarë i ardhshëm për krijimin e kabinetit të ri qeveritar.

Këtë gjë e pret edhe kreu i shtetit Stevo Pendarovski, për t’ia dorëzuar mandatin. Njëkohësisht do të zgjedhen edhe nënkryetarët e ri, sekretari i përgjithshëm dhe ata që do të jenë pjesë e Bordit ekzekutiv të LSDM.

Jozyrtarisht bëhet me dije se nga katër nënkryetarët do të mbetet vetëm Fatmir Bytyqi. Pas dorëheqjes së sotme të Spasovskit, nga posti i nënkryetarit largohen edhe Milla Carovska dhe Venko Filipçe.

“Propozimi për udhëheqësi të re do të gjendet para anëtarëve të Bordit qendror dhe në këtë moment është e pahijshme të flasim për emra konkret para se të sjellin vendim përfundimtarë anëtarët e Bordit qendror për zgjedhjen e udhëheqësisë së re. Përveç pikës për zgjedhjen e udhëheqësisë së re, në rend të ditës është edhe autorizimi i kryetarit të partisë Dimitar Kovaçevski për mandatar për krijimin e Qeverisë së re nga ana e Bordit qendror”, tha Stefan Vasev nga LSDM./albeu.com/


Shtuar 27.12.2021 15:56