Këtë të hënë në orën 10:00, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), zhvillohet ceremonia zyrtare e dorëzimit të detyrës nga drejtuesi në largim Altin Dumani te kreu i ri i institucionit, Klodian Braho.
Braho u zgjodh në krye të SPAK nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 7 vota, duke marrë mandatin trevjeçar të drejtuesit të Strukturës së Posaçme, mandat që sipas ligjit nuk lejon rizgjedhje.
SPAK e vlerëson këtë proces si një hap të rëndësishëm për garantimin e vijimësisë institucionale dhe për forcimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Altin Dumani, i cili drejtoi SPAK pas Arben Krajës, drejtuesit të parë të këtij institucioni, do të vijojë ushtrimin e funksionit si prokuror i posaçëm.
Mandati i tij në SPAK përfundon në vitin 2028, në përmbyllje të mandatit 9-vjeçar të parashikuar nga ligji.
Kush është Klodian Braho?
Klodian Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës.
Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012.
Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendës drejtues i këtij institucioni.
Në vitin 2015, Braho u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetime të çështjeve me karakter të veçantë penal.
Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK, ai u emërua prokuror në strukturën e re.
Gjatë karrierës së tij, Braho ka qenë pjesë e hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar. Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Klodian Braho është pjesë e SPAK që prej krijimit të tij dhe aktualisht drejton Seksionin Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme.
Ai ka ndërtuar një karrierë të konsoliduar në hetimin e korrupsionit në nivele të larta dhe çështjeve me ndjeshmëri të madhe publike.
Braho është prokurori që udhëhoqi hetimin e inceneratorit të Elbasanit, një dosje voluminoze dhe komplekse, nga e cila lëshoi urdhër-arreste për persona të njohur si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, ndërsa hetimi për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj u trajtua në një procedim të veçuar.
Ai ka çuar përpara edhe dosjen “5D”, duke dërguar për gjykim disa ish-drejtues të Bashkisë së Tiranës.
Një tjetër hetim i rëndësishëm i tij është ai i “Toyota Auris”, ku u zbulua një skemë e gjerë kriminale që përfshinte edhe individë të sistemit të drejtësisë. Dosja është e fragmentuar në disa degë, të cilat vijojnë të hetohen ende.
