U zbuluan nga qeni në kufi, si u arrestuan dy shqiptarët me “të kuqe” me vlerë 500 mijë euro në makinë

Dy shtetas shqiptarë, të cilëve dje iu gjetën 11 kilogramë heroinë, kanë dalë Gjykatën e Qarkut në Dubrovnik. Në pikën kufitare Karasoviq me Malin e Zi, policia zbuloi dhe sekuestroi me ndihmën e një qeni heroinë me vlerë mbi gjysmë milioni euro.

Policët veçuan dy persona dhe një automjet në vijën e dytë të kontrollit kufitar. Një qen për zbulimin e drogës nisi kontrollin dhe reagoi pozitivisht ndaj kontrollit paraprak të pjesës së brendshme të mjetit.

Droga ishte fshehur në hapësirën e modifikuar nën ndërruesin e marsheve dhe mbështetësen e krahut e ndarë në 20 pako me gjithsej 11.035 kg heroinë.

“Dje më datë 10 janar rreth orës 11:30 në kontrollin kufitar hyrës ka mbërritur një mjet personal me targa shqiptare i drejtuar nga një 30-vjeçar, ndërsa pasagjeri ishte një 44-vjeçar, të dy shtetas të Shqipërisë”, njoftoi policia.

Në pranga ranë shoferi dhe pasagjeri dhe nga hetimi penal u konstatua se ata synonin të transportonin heroinën nga Shqipëria në tregun e Europës Perëndimore. /albeu.com


Shtuar 11.01.2023 17:02