Albi Biçaku është një nga personat e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Rrjeti”, i cili u finalizua ditën e sotme nga policia e Elbasanit.
Në kuadër të këtij operacioni u lëshuan 52 urdhër-arreste, u ndaluan 45 persona dhe 7 u shpallën në kërkim.
11 prej të dënuarve kanë qenë të dënuar dhe më parë për krime të kryera në fushën e narko-trafiqeve, ndërsa 10 të tjerë kanë qenë të dënuar për vepra të ndryshme penale.
Albi Biçaku nuk është një emër i panjohur për policinë.
Më 21 shkurt, 27-vjeçari Biçaku qëlloi me armë zjarri në drejtim të një lokali në Librazhd ku ndodheshin disa të rinj.
Ai plagosi në këmbë 35-vjeçarin Shpëtim Skura, i cili ndodhej rastësisht në tavolinë bashkë me disa miq.
Albeu.com mësoi asokohe ekskluzivisht se Biçaku synonte të qëllonte 37-vjeçarin Rinor Hajdari (nipi i Azem Hajdarit) me të cilin kishte pasur konflikt më herët.
Menjëherë pas ngjarjes autori u largua me makinë dhe prej shkurtit rezulton person në kërkim.
Ndërkohë në kuadër të operacionit të sotëm të koduar “Rrjeti”, policia goditi 4 grupe kriminale që ushtronin veprimtaritë kriminale të prodhimit, shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe të armëmbajtjes pa leje./Albeu.com/