“U shpall non-grada nga SHBA”, Gruevski: Mbrojta shtetin më eliminuan “armiqtë e jashtëm”

Ish kryeministri Nikolla Gruevski thotë se të gjitha arsyet e numëruara nga Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen e tij “non grata” nuk janë të vërteta por burojnë nga konstruksionet e LSDM-së dhe gjyqësorit kundër tij.

Në një reagim në profilin e tij në Facebook, Gruevski thotë se gjatë qeverisjes së tij vetëm ka mbrojtur interesat e shtetit dhe kjo ka bërë që të përfitojë shumë armiq të jashtëm, sipas tij.

“Përpjekjet e mia disavjeçare që problemi me emrin të zgjidhet në një mënyrë tjetër, vendimet lidhur me krizën e migrantëve dhe mbylljen e korridorit ballkanit në vitin 2016 dhe disa vendime tjera me të cilat po përpiqesha të mbroj interesat shtetërore dhe nacionale të Maqedonisë, kanë irrituar disa shtete dhe më krijuan shumë armiq si p.sh. Xhorxh Soros i cili investoi shumë përpjekje dhe financa për të rrëzuar Qeverinë time”.

Vendimet e djeshme të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku Nikolla Gruevski dhe Sasho Mijallkov u shpallën “persona non grata”, i ka komentuar edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela. Ai e përshëndet vendimin e administratës së presidentit Bajden, por thotë se kjo listë duhet zgjeruar edhe më shumë.

“Unë si një nga aktorët politik e përshëndes këtë vendim, sepse me të vërtetë që lufta ndaj korrupsionit dhe figurave politike të cilët shfrytëzojnë këtë situatë politike këtu në Ballkanin Perëndimor për nevoja personale dhe pasurim individual natyrisht se duhet të jetë e pakompromistë. Vlerësoj se kësaj liste i duhen shtuar edhe shumë aktorë politikë”.

Për Gruevskin dhe Mijallkov do të bllokohen të gjitha pronat dhe financat që kanë ose mund të kenë në SHBA. Në listat e zeza të SHBA-së prej më herët figurojnë edhe politikanë tjerë, si kreu i PDSH-së Menduh Thaçi, Xhevat Ademi nga BDI dhe Lube Boshkovski.


Shtuar 12.04.2022 19:10

Tags: ,