Në konferencë me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka treguar përplasjen që ka pasur me Ilir Rusmalin, i cili në kohën e PD ka qenë ministër i Drejtësisë.
Berisha tha se; “Ilir Rusmali është shkarkuar nga Sali Berisha për korrupsion”.
SIpas kreut të PD-së, vëllai i Ilir Rusmalit, ka kërkuar të marrë një tender tek Drejtoria e Burgjeve.
“Ilir Rusmali, në vend që të kritikonte vëllain dhe të mbante qëndrim ndaj vëllait, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, shkarkon drejtorin e përgjithshëm të burgjeve, në një kohë kur nuk ishte nomenklaturë e tij, ishte e kryeministrit ose e këshillit të ministrave. Ministria kishte vetëm propozimin”, tha Berisha.
Pjesë nga deklarata:
Ngjarja ka qenë, drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Dashamir Maçi, kishte hapur një tender.
I vëllai i ministrit i shkon drejtorit dhe i kërkon tenderin.
Nuk ishin standardet e Edi Ramës, as të Lubisë, ishin standardet e Sali Berishës.
Ai thotë, ik tani dhe mos u duk këtu se nuk ke punë ti, je vëllai i ministrit, nuk mund të vish këtu për tenderin.
I vëllai i ministrit e kërcënon drejtorin e përgjithshëm se do pësosh këtë dhe atë.
Mençurisht ai e regjistron. Mençurisht Dashamir Maçi e regjistroi kërcënimin dhe e solli në zyrë tek unë.
Ilir Rusmali, në vend që të kritikonte vëllain dhe të mbante qëndrim ndaj vëllait, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, shkarkon drejtorin e përgjithshëm të burgjeve, në një kohë kur nuk ishte nomenklaturë e tij, ishte e kryeministrit ose e këshillit të ministrave. Ministria kishte vetëm propozimin.
I them, se më duhej të nisesha jashtë, sapo të kthehem do e trajtoj.
Vij unë këtu, ky kishte bërë shkarkimin.
Në qoftë se ishte për të qëndruar ndaj korrupsionit, ministri duhej të lavdëronte drejtorin për qëndrimin që mbajti ndaj vëllait të tij, që i tha jo nuk ke punë ti këtu me tenderin.
Por ministri mbajti anën e vëllait, çka do të thotë se mund të kishte interesa, dhe shkarkoi drejtorin. Dhe unë shkarkova ministrin.
Absolutisht. I thashë, me këtë që ke bërë, duhet të largohesh.
Do bëhej largimi, shkoi në zyrë dhe solli një shkresë dorëheqje dhe kjo është gjithë puna.
Por historia është kjo.