U shkarkua nga Linda Karçanaj pas seancës shumë orëshe në SPAK, Berisha zbulon prapaskenat e rrëmbimit të Daniel Shimës

Në një deklaratë të gjatë në “Facebook”, kryedemokrati Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë dhe strukturat e sigurisë për rrëmbimin dhe torturimin, sipas tij të ish-zv.drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSH), Daniel Shima.

Berisha ka treguar prapaskenat e zhdukjes së Shimës per disa orë, ndërsa thotë se rasti është një shembull i dhunës shtetërore dhe i “dorës së zezë” të një regjimi që operon jashtë ligjit.

Ish-kryeministri thekson se; Shima është shkarkuar më 19 mars 2024 nga drejtuesja e AKSHI-t, Linda Karçanaj, pas një seance të gjatë në SPAK, për shkak të, siç pretendohet, “dëshmive tronditëse” që ai ka dhënë.

“Për Danielin, ish-zëvendës drejtorin e përgjithshëm të AKSH, dihet se u shkarkua më 19 mars 2024 nga famëzeza Karçanaj pas seancës shumë orëshe në SPAK dhe njohjen me sa duket me dëshmitë e tij tronditëse. Për Danielin dihet se ai është nga ata zyrtarë të lartë që është kërcënuar direkt personalisht nga Edi Rama, mbasi AKSHI konsiderohet si miniera e floririt të Edi Ramës dhe familjes së tij”, shkruan Sali Berisha.

Sipas tij, Shima nuk është arrestuar nga strukturat zyrtare të policisë apo prokurorisë, por nga një “polici private” që vepron me uniformën e shtetit dhe që, sipas Berishës, kontrollohet drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama.

 

 

Reagimi:

Për Danielin askush nuk flet!

Miq, Danieli u harrua. Daniel Shima u arrestua, rrëmbye në orën 13:30 të datës 20 gusht siç njoftoi vetë me një mesazh dërguar familjes: ‘Po më arrestojnë’ që do ishte SOS shpëtimtar për jetën e tij. Danieli nuk u arrestua nga policia zyrtare e narko-shtetit as dhe nga prokuroria e Altin “Troplinit” që rrëmbeu gazetarin Elton Qyno.

Danieli u rrëmbye, arrestua si Stafuka që u zhduk pa nam e nishan nga policia private që në operacione të saj speciale vesh uniformën e policisë së shtetit dhe ka kompetenca më speciale se sa dy të parat. Ajo varet direkt nga kreu i narko-shtetit. Për Danielin, ish-zëvendës drejtorin e përgjithshëm të AKSH, dihet se u shkarkua më 19 mars 2024 nga famëzeza Karçanaj pas seancës shumë orëshe në SPAK dhe njohjen me sa duket me dëshmitë e tij tronditëse.

Për Danielin dihet se ai është nga ata zyrtarë të lartë që është kërcënuar direkt personalisht nga Edi Rama, mbasi AKSHI konsiderohet si miniera e floririt të Edi Ramës dhe familjes së tij. Besohet se Danieli është personi që kontribuoi në vendosjen e çimkave që regjistruan bisedën e G. Meçes me një person tjetër ku lakohej emri i Armand Fangut dhe kunatës së tij Linda Ramës. Për të gjitha këto, Danielit duhet t’i mbyllej goja përgjithmonë.

Sipas qytetarit dixhital një muaj më parë Danielin e kishin dërguar për një ‘kafe’ tek Poja por ai pas kësaj ‘kafeje’ kishte shkelur kodin dhe tani u vendos të dërgohej për mësimin e fundit tek Çela. Jo vetëm në arrestimin e tij por edhe në rikthimin e tij dukej qartë dora e zezë e shtetit. Pas një zhdukje prej rreth 12 orë gjithçka u qartësua.

Danieli u kthye në dy të natës në shtëpi i bërë fërtele psikologjikisht dhe fizikisht. Rikthimi i Danielit tregon se rrëmbyesit e tij nuk e kishin rrëmbyer atë për llogari të tyre por me porosi. Porositësit e lartë të grabitjes, për shkak të zhurmnajës së madhe që u ngrit në media nga mesazhi i tij, gjykuan se për ta ishte më me leverdi ta linin të gjallë dhe pa gojë si në rastin e zyrtarëve të tjerë se sa ta zhduknin atë, mbasi të akuzuar kryesor për këtë krim tashmë të paralajmëruar do ishin vetë Edi Rama dhe koordinatori i tij për krimin famëziu Agasi.

Por edhe paskthimi i Danielit flet po aq shumë për dorën e zezë të shtetit në krimin që tronditi dheun. Nga dita e kthimit në shtëpi, thuhet i torturuar mizorisht e deri sot, në një kod omerta askush nuk flet më për Danielin. Kodi i plotë omerta pas kthimit të tij mund ta vendoste vetëm kreu i organizatës, pra Rama dhe askush tjetër. Të gjithë heshtin dhe vetëm heshtin. Vetë ai hesht si fije bari, kafeja tek Poja ishte lule krahasuar me torturat prej 4 orësh në bodrumin e Çelës.

Heshtin mediat, emri Daniel nuk ekziston më në asnjë media dhe asnjë gazetar nuk mori mundimin të hetojë rreth gjendjes së tij. Hesht Avokati i Popullit, hesht shoqëria civile… Kjo heshtje e tmerrshme flet vëllime të tëra për shoqërinë në narkodiktaturë. Të krijohet përshtypja se me heshtjen e tyre të gjithë i druhen fatit të Danielit. Por heshtja për Danielin është një akuzë morale për të gjithë ata që heshtin sepse po zbatojnë verbërisht kodin omerta që nuk është i tyre por i narkoshtetit. sb


Shtuar 27.08.2025 13:55