Gjykata e Posaçme, ka caktuar ekspert mjekësor për të përcaktuar gjendjen shëndetësore të ish-shefit të komisariatit rrugor të Tiranës Roven Zeka, mbi kërkesën e bërë nga ky i fundit për tu liruar nga qelia për shkak ka dëmtuar legenin pasi u rrëzua në paraburgim.
Mbi bazën e përfundimeve të mjekëve, do të vendoset edhe sa i takon kërkesës së personit nën hetim.
Zeka dyshohet nga SPAK për korrupsion lidhur me procedurat për një aksident, lidhur me një ryshfet prej 2 mijë euro që SPAK pretendon se e ka përfituar.
Më herët, masa e arrestit në burg u la në fuqi nga apeli i GJKKO ndaj tij dhe oficerit Edison Tabaku, ndërsa shefi i hetimit të aksidenteve Sokol Novaku, u lirua në arrest shtëpie për shkak të rrethanave familjare.
SPAK i bëri arrestimet bazuar në disa prova përgjimesh e bisedash, ku biznesmeni kishte paguar paratë që gruaja e tij të mos arrestohej pas shkaktimit të aksidentit.
Shef i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka bashkë me Sokol Novakun, shef i hetimit të aksidenteve dhe oficerin e policisë rrugore Edison Tabaku, ranë në pranga më 19 prill në kuadër të një hetimit të SPAK, dhe dyshohet se kanë marrë 2 mijë euro ryshfet, për manipulimin e provave për një aksident rrugor, të shkaktuar nga bashkëshortja e biznesmenit Erges Vrioni.
Sipas dosjes hetimore dhe përgjimeve, duke qenë se oficeri Tabaku e njihte biznesmenin Erges Vrioni, bashkëshortin e gruas që bëri aksidentin, i ka kërkuar shuma monetare për të mos e arrestuar Anisa Vrionin.