U raportua i vdekur, 75-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë në sallën e operacionit në Shkodër

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Stom-Golem të Shkodrës, ku ka mbetur i plagosur rëndë 75 vjeçari  Lulash Qepuri.

Gazetari Simon Shkreli duke raportuar në edicionin e lajmeve në Abc ka theksuar se i moshuari fillimisht është raportuar i vdekur për shkak se në spital ka mbërritur pa shenja jete, por që aktualisht ndodhet në sallën e spitalit të Shkodrës në gjendje të rëndë.

Autori ka qenë i maskuar në momentin që ka mbërritur në lokalin e Qepurit ku ka qëlluar 16 herë me pistoletë në drejtim të tij.

Menjëherë ka reaguar djali i të plagosurit, i cili ka qëlluar 10 herë me shotgun në drejtim të autorit, por ky i fundit është larguar me vrap, dhe ka hipur në një makinë që e priste pak më lart.

I moshuari ka qenë i ulur në momentin që është qëlluar, pasi ishte invalid.

Gjithashtu raportohet se 75-vjeçari ka qenë i arrestuar në vitin 2011 për trafikim dhe prodhim të lëndëve narkotike dhe për armëmbajtje pa leje.


Shtuar 16.06.2022 00:04