Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar sot Beogradi ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të Faton Hajrizit, të vrarë në Lloznicë të Serbisë.
Avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, i cili është angazhuar për kthimin e trupit të Faton Hajrizit në Kosovë, ka bërë të ditur se ka parë personalisht trupin dhe e ka konfirmuar identitetin e tij.
MPJD shkroi në Facebook se, avokati Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, dhe ambasadori Jetish Jashari, po kryejnë procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë.
Vrasja e Faton Hajrizit
Faton Hajrizi ka tentuar të kalojë Drinën dhe të arratiset në Bosnje dhe Hercegovinë, por nuk ia ka dalë, prandaj është fshehur në një kompleks të braktisur fabrikash. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë publikoi fotografinë e një të dyshuari për krime, kur njëri nga vendasit raportoi se kishte parë një person me atë përshkrim pranë ish-pompës së karburantit të Viskozës. Ai u lokalizua dhe u vra ndërsa pretendohet se një gjë e tillë ka ndodhur për shkak se Hajrizi ka qëlluar në drejtim të policëve duke bërë rezistencë.
Fillimisht, autoritetet serbe shpallën në kërkim vëllain e Fatonit, Artan Hajrizin, meqë në vendngjarje u gjetën dokumentet e tij personale, pasaporta e Republikës së Kosovës dhe letërnjoftimi i Gjermanisë. Artani lajmëroi se ndodhet në Gjermani dhe se nuk ka lidhje me rastin. Për dokumentet që iu gjetën në vendin ku u krye krimi, ai akuzoi vëllain e tij, Fatonin, se ia ka vjedhur sa ishte në Gjermani.
Vrasja e policit serb ka ndodhur pak pas mesnatës së të mërkurës (18 korrik) gjatë kontrollit të automjetit në pikën kufitare në Lipnicki Sor në Loznicë. Punonjësit e policisë kanë ndaluar një automjet tip “Mercedes” të drejtuar nga taksisti Mithat Haxhiç nga Tutini, por pasagjeri në mjet ka hapur zjarr në drejtim të tyre. Nikolla Krsmanoviç ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa kolegu i tij Vjekoslav u plagos rëndë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.