Një 38 vjeçar është vrarë me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar në Katund Sukth tek shinat e trenit në Durrës.
Ngjarja u shënua pak pas mesnatës, ndërsa mësohet se viktima është Fation Dervishi.
“Në Katund, Sukth, tek shinat e trenit, nga persona ende të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri shtetasi F.D, 38 vjeç, i cili u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjeksore, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital” informoi policia e Durrësit.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është banor i zonës Katund Sukth dhe nuk është person me precedent të mëparshëm penal.
Në momentin kur e kanë qëlluar ka qenë në automjet së bashku me një shokun e tij dhe ishte duke drejtuar makinën.
Mësohet se 38-vjeçari është qëlluar me armë automatike. 2 plumba e kanë përshkuar në trup duke i dëmtuar organet vitale. Personi tjetër nuk është prekur nga plumbat.
Sipas dëshmisë së këtij të fundit rezulton se ata kishin qenë në një lokal dhe po ktheheshin për në shtëpi kur janë goditur. Janë pyetur 10 persona deri tani për të mundësuar zbardhjen e ngjarjes.
Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe në bashkëpunim me Prokurorin vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.