Në vitin 2017, Vasfije Krasniqi-Goodman iu shkroi një letër të hapur burrave që e sulmuan seksualisht, si dhe e publikoi në faqen e saj në Facebook, shkruan Al Jazeera.
Përdhunuesit, dy policë serbë, e rrëmbyen dhe e përdhunuan atë kur ajo ishte 16 vjeçe gjatë Luftës së Kosovës. Ata u paditën për krimin por më pas u liruan nga Gjykata Supreme e Kosovës në vitin 2014.
Ajo kishte jetuar në Teksas të SHBA-së që nga fundi i luftës, por në vitin 2015 u kthye përsëri në Kosovë, si e mbijetuara e parë e dhunimit gjatë luftës që ndau historinë e saj publikisht, në televizionin publik, pa e fshehur identitetin e saj.
Al Jazeera shkruan se që atëherë, ajo ka qenë në një mision, duke avokuar për të mbijetuarit në Kosovë dhe në botë, duke kërkuar drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës në vendin e saj.
Deri më sot, asnjë person në Serbi ose në Kosovë nuk është burgosur për përdhunim.
Në fillim të vitit, Krasniqi-Goodman vendosi të kandidojë për deputete në parlamentin e Kosovës gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit.
“Unë kurrë nuk e shihja vetën si dikush që do të kandidonte për ndonjë pozitë. Isha e lumtur që isha aktiviste. Isha e lumtur që ndaja historinë time, duke ndarë atë se çfarë ndodhi në Kosovë gjatë luftës”, tha ajo.
Partia me të cilën u bashkua ajo, opozita e krahut të majtë Lëvizja Vetëvendosje fitoi me një rezultat prej 50.2 për qind të votave.
Krasniqi ishte në mesin e 10 personave me më së shumti vota, duke marrë kështu 61 mijë sosh.
Gjatë Luftës së Kosovë 1998-99, burime të ndryshme vlerësojnë se 20 mijë gra dhe burra u përdhunuan dhe u torturuan nga policia serbe dhe ushtria jugosllave.
‘Turpi’ dhe stigmatizimi që rrethojnë temën e përdhunimit gjatë luftës nuk lejojnë që të mbijetuarit të flasin publikisht për atë që u ndodhi atyre 22 vjet më parë.
Vitin e kaluar, Krasniqi-Goodman mbajti një fjalim në parlamentin e Kosovës, duke hedhur kritika të ashpra ndaj deputetëve.
“Ju duhet të ndryshoni sepse ne kemi duruar mjaft. Ne nuk ju falim për ato që na keni bërë në 20 vitet e fundit”, i tha ajo ligjvënësve të Kosovës më 9 mars, 2020.
Pasi fitoi një vend në parlament, Krasniqi-Goodman, tani 38-vjeçare, u largua nga shtëpia e saj në Teksas dhe u kthye në Kosovë.
Ajo shpreson se mund të sjellë disa ndryshime të nevojshme gjatë mandatit të saj kur bëhet fjalë për të mbijetuar e përdhunimit gjatë luftës, shkruan Al Jazeera.
“Mendoj se e para dhe më e rëndësishmja është lufta për drejtësi. Ende nuk kemi autor pas hekurave kur bëhet fjalë për krimet e përdhunimit. Pra, ne duhet të shohim se si qeveria dhe institucionet mund ta shtyjnë Serbinë të dorëzojnë kriminelët”, thotë ajo.
Ajo gjithashtu dëshiron të sjellë më shumë ndryshime në pensionin qeveritar mujor prej 230 eurove që u bë i disponueshëm në vitin 2018 për të mbijetuarat të cilat aplikojnë.
“Unë dua që kjo të ndryshojë, ku të mbijetuarit kanë më shumë përfitime se sa vetëm një pension. Unë dua të siguroj mbulim mjekësor vetëm për të mbijetuarit, sepse shumica prej nesh, kemi nevojë mjaft shpesh për kujdes mjekësor. Disa nga të mbijetuarit nuk kanë mundësi të shkojnë as te mjeku”, deklaroi Krasniqi-Goodman.
Sjellja e ndryshimit dhe ngritja e vetëdijes për të thyer stigmën në Kosovën e pasluftës ka qenë e vështirë, shkruan Al Jazeera.
Nazlie Bala, 53 vjeçe, një aktiviste për të drejtat e grave, e cila është gjithashtu një aktiviste politike me Vetëvendosjen, e kupton këtë mirë.
Gjatë luftës, ajo mblodhi mijëra dëshmi nga të mbijetuarit e përdhunimit në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Pas përfundimit të luftës në vitin 1999 derisa Kosova filloi të rindërtohej, ajo tha se shoqëria e Kosovës nuk ishte gatshme të pranonte të vërtetën për përdhunimet gjatë luftës.
“Administrata e UNMIK-ut dhe gjithashtu politikanët lokalë disi u përpoqën jo ta fshehin por ta varrosnin në mënyrë që kjo çështje të mos dilte në diskutime dhe debate në Kosovë”, tha ajo, duke shtuar se u deshën më shumë se 12 vjet për të adresuar çështjen e përdhunimit.
“Dhe çështja e përdhunimit e përdorur si një mjet i luftës – që Serbia e përdori gjatë luftës në Kosovë – nuk u prek ose nuk u diskutua fare”, shtoi ajo.
Në vitin 2013, ajo filloi të ngrejë çështjen e përdhunimit të kohës së luftës dhe ligji i mbështetur dhe debatuar publikisht në televizionin kombëtar që njeh dhe dëmshpërblen viktimat civile dhe veteranët e luftës duhet të ndryshohet për të përfshirë gjithashtu të mbijetuarit e dhunës seksuale nga lufta.
Bala mori kërcënime me vdekje për mbështetjen e saj për të mbijetuari dhe një herë gjeti një shënim në derën e banesës së saj ku thuhej: “Mos e mbroni turpin, përndryshe ne ju vrasim”.
Një javë më vonë, ajo u sulmua brutalisht nga dy sulmues të panjohur jashtë banesës së saj në Prishtinë.
Ndryshimi u miratua përfundimisht në vitin 2014.
Që kur Krasniqi-Goodman doli me historinë e saj, shumë të mbijetuar e kanë kontaktuar atë për të ndarë historitë e tyre – disa nuk i kanë treguar askujt përveç saj.
Ajo e pranon që edhe të mbijetuarit e tjerë besojnë se ajo është zë i fuqishëm në parlament për krimet e luftës nga Serbia.
“Derisa unë jam në parlament, nëse të paktën një keqbërës shkon pas hekurave, për të qenë në gjendje të festoj gëzimin me viktima, për mua do të mjaftueshëm mirë, sepse nuk dua të vdes pa drejtësi. Edhe nëse është tepër vonë për rastin tim, unë dua të shoh të mbijetuarit të marrin drejtësi”, tha Krasniqi-Goodman.
“Shpirti ynë nuk do të shërohet aspak pa drejtësi. Me drejtësi, të paktën do të shërojmë disa, sepse drejtësia është ajo që do t’i ndihmojë të tjerët të njohin të vërtetën”, rrëfen ajo. /telegrafi