U pezullua nga detyra dhe iu bllokua pasaporta/ Zbardhet vendimi i GJKKO-së për Belinda Ballukun: Rrezikon të arratiset…

Është zbardhur vendimi i GJKKO-së për Belinda Ballukun, e cila u pezullua nga detyra si zv kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ju bllokua pashaporta.

Në vendimin e gjyktaës sqarohet se dy masat janë caktuar pasi Balluku, për shkak të detyrës që ushtron, vë në rrezik marrjen e provave.

Gjykata sqaron se ajo mund të kryejë të njëjtat procedura, që kanë rezultuar më herët në shkelje.

Po ashtu, në vendimin e GJKKO, sqarohet se bllokimi i pasaportës bëhet për arsye se e pandehura mund të ketë rrezik që të arratiset

“Gjykata vlerëson se, në rastin konkret ekziston rreziku i largimit të të pandehurve të sipërcituar, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ata dyshohen, konkretisht nga një deri në pesë vjet burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 258 i K.Penal, duke marrë parasysh rrethanën se të pandehurit dyshohen për këtë vepër penale të kryer dy here dhe në bashkëpunim.

Në rastin konkret për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurve të sipërcituar, duke qenë në ushtrimin e funksioneve respektive të tyre për shkak të detyrës, ekziston rreziku që ata të kryejnë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen, kjo lidhur me rrethanat e veprimeve të kundraligjshme të të pandehurve në disa procedura prokurimi, si dhe nisur nga fakti se të pandehurit menaxhojnë në vazhdim fondet publike për investimet publike të tjera të parashikuara për Institucionet Qëndrore që ata drejtojnë.

Në rastin konkret ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të kësaj çështjeje. pasi për shkak të detyrës që ushtron e pandehura Belinda Balluku. (aktualisht me funksionet e larta shtetërore, Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës). por dhe të pandehurit e tjerë Gentian Gjyli, (aktualisht me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar), Frald Elezi, (me detyrën e Administratorit të Koorporates Elektroenergjitike Shqiptare SH.A). ekziston mundësia që ata të mund të ndërhyjnë dhe të ndikojnë në prishjen ose asgjësimin e provave, në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, kjo nisur nga fakti që organi procedues po verifikon çdo dokumentacion të administruar nga Institucionet”,– sqarohet në vendimin e GJKKO.


Shtuar 21.11.2025 10:46