U pezullua nga detyra dhe iu bllokua pasaporta, Belinda Balluku nën hetim jo vetëm për tunelin e Llogarasë/ Zv.kryeministrja, nën akuzë për abuzim edhe për Unazën e Madhe

Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion ka ngritur akuzë të re ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Sipas gazetares Klodiana Lala, Belinda Balluku, e cila u mor e pandehur për tunelin e Llogarasë, është nën akuzë dy herë për shkelje të barazisë në tendera.

Gazetarja informon se ajo dyshohet edhe për abuzim me tendera për lotin 4 të Unazës së Madhe.

GJKKO ka caktuar ndaj zv.kryeministres masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.

Gjithashtu është caktuar masë sigurie “arrest shtëpie” për dy ish-vartësit e saj, drejtorit të KESH, Erald Elezi dhe kreut të ARRSH-së, Gentian Gjyli.

Në një reagim për mediat, GJKKO shprehet se masat e sigurisë ndaj zv.kryeministres Balluku kanë karakter sekret.

Gjithashtu theksohet se do të ketë njoftim zyrtar nga ana e gjykatës në momentin e duhur procedurial.

“Lidhur me lajmin e publikuar në media për caktimin e masave të sigurisë ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, në kushtet që masa e sigurimit kanë karakter sekret, gjykata në këtë moment nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun.

Në momentin e duhur procedurial do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës”, thuhet në reagim.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila u pezullua sot nga detyra dhe iu bllokua pasaporta për të dalë jashtë vendit, nëse nuk largohet nga postet që mban, rrezikon një masë më të ashpër sigurie.

Gazetarja Klodiana Lala pohoi se masa ndaj Ballukut i kërkon kësaj të fundit që të largohet menjëherë nga zyra e saj, në të dy postet e rëndësishme, si zëvendëskryeministre dhe si ministre e Infrastrukturës.

Ky urdhër është dhënë me pretendimin se Balluku mund të rrezikojë prishjen e provave, duke qenë afër detyrave të tyre.

“Nëse nuk e zbaton masën, prokurorët mund të kalojnë edhe në masa më të forta sigurie ndaj saj. Por duke qenë se drejton një nga ministritë më të rëndësishme e më të fuqishme, që menaxhon një pjesë të madhe të buxhetit, ka rrezik për ndikim nga ana e saj, që të mos ushtrojë ndikim edhe ndaj zyrtarëve apo në prishjen e provave”, shpjegoi gazetarja.


Shtuar 20.11.2025 16:30

Tags: ,