U pezullua nga detyra, Belinda Balluku mbërrin në GJKKO (VIDEO)

Këtë të shtunë 22 nëntor 2025, zv.kryeministrja e pezulluar Belinda Balluku, ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku pritet të nisë seanca gjyqësore për të dhe për dy bashkëpunëtorët e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.

Pak më herët, në gjykatë u paraqit motra e saj avokate, Pamela Qirko.

Balluku u pezullua nga detyra dy ditë më parë me vendim të GJKKO-së dhe iu ndalua dalja jashtë vendit.

Seanca e sotme zhvillohet në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, të regjistruar nga SPAK, dhe ka për qëllim marrjen në pyetje të të pandehurve dhe verifikimin e kushteve për caktimin e masave të sigurisë.

Ajo është marrë zyrtarisht e pandehur prej datës 31 tetor 2025 dhe akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publikë”, në bashkëpunim me vartësit e saj, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë me fond limit 180 milionë euro.

SPAK ka ngritur ndaj saj edhe një akuzë të dytë, që lidhet me dyshime për abuzime me tendera në lotin 4 të Unazës së Madhe.

 


Shtuar 22.11.2025 09:07