U përurua dy muaj më parë nga Balluku dhe kushtoi 260 milionë euro, rrëshqitje dheu në rrugën Qukës-Qafë Plloçë

Ditën e djeshme, një rrëshqitje dherash është regjistruar në fillim të aksit të ri rrugor Qukës-Qafë Plloçë, në një prej skarpateve të saj.

Edhe pse fatmirësisht nuk pati dëme, ngjarja ka shtuar shqetësimet për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e kësaj rruge, e cila u përurua pas 14 vitesh punime dhe me një kosto marramendëse prej 260 milionë eurosh.

 

 

Kompania kontraktore ndërhyri për pastrimin e rrugës, dhe punimet për stabilizimin e terrenit vijojnë edhe gjatë së enjtes.

Por përsëritja e rrëshqitjeve në një segment që duhej të ishte i ri dhe i sigurt tregon për probleme serioze në projektim, mbikëqyrje dhe cilësi ndërtimi.

Vetëm pak javë më parë, një rrëshqitje shkëmbore në të njëjtin aks bllokoi për orë të tëra njërën korsi të qarkullimit.

Rruga që pritej të ishte një investim strategjik për lidhjen Lindje-Perëndim, po kthehet në shembull të mungesës së përgjegjësisë dhe keqmenaxhimit të fondeve publike.

Në vend që të lehtësojë lëvizjen dhe zhvillimin e zonës, aksi Qukës-Qafë Plloçë, ndërtimi i të cilit zgjati plot 14 vite, po dëshmon se 260 milionë eurot nuk garantojnë një vepër të qëndrueshme, sidomos kur mungon transparenca dhe cilësia në çdo fazë të ndërtimit.

Rruga e re kombëtare Qukës–Qafë Plloçë, u inaugurua nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku më 5 shtator të këtij viti.