Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 8 muaj burg Gëzim Paplekajn nën akuzën e korrupsit pasiv në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Në një video të publikuar, 52 vjeçari Gëzim Paplekaj shprehej se kishte marrë 20 mijë lekë në këmbim të 4 votave të dhëna për PS-në në zgjedhjet e 25 prillit.
Njoftimi:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 25.07.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurit G.P akuzuar për figurën e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.
Fakti penal i atribuar të pandehurit G.P ka të bëjë me marrjen e një shume prej 20.000 (njëzet mijë) lekë, në këmbim të sigurimit të katër votave, për të votuar në favor të subjektit politik Partia Socialiste, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të zhvilluar më datën 25.04.2021.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Flojera Davidhi dhe Erjon Bani, bazuar në nenin 328/b të Kodit Penal, si dhe në nenet 4/2, 190/1, 390, 406/1 393/1 dhe 485 të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin Nr. 74, datë 09.11.2023 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit P, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” e parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale masës së mësiperme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri P me 8 (tetë) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin P fillon nga dita e zbatimit të këtij vendimi dhe do të vuhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
Në bazë të nenit 190/1 të K.Pr.Penale provat materiale një CD dhe një DVD me pamjet filmike të mbeten pjesë e fashikullit.
Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit si dhe shpenzimet gjyqesore i lihen në ngarkim të pandehurit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brënda 15 (pesëmbedhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.