U ndaloi fjalën deputetëve të PD, zyrtarizohet kërkesa për shkarkimin e Lindita Nikollës

Është zyrtarizuar kërkesa për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.

Në kërkesën e Partisë Demokratike theksohet se Kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla, me qëllim të vetëm mbrojtjen politike të Edi Ramës, të kapur në flagrancë nga drejtësia amerikane se ka korruptuar dhe bashkëpunuar me një agjent të FBI-së të lidhur me Rusinë, vendosi në paligjshmëri dhe arbitraritet të mbyllë Parlamentin. Për llogari të Edi Ramës, që drejtësia amerikane e faktoi para botës mbarë lidhjen e tij korruptive me një zyrtar të FBI-së, të lidhur me Rusinë, kryetarja e Kuvendit asgjësoi Parlamentin për llogari të Edi Ramës.

Sipas 28 deputetëve të PD kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla, duke iu mohuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të drejtën për pyetje, të drejtën për interpelancë dhe të drejtën për të diskutuar lidhur me çështjet e përfshira apo të papërfshira në rendin e ditës, ka vepruar në shkelje të rëndë të Kushtetutës së Shqipërisë dhe Rregullores së Kuvendit, duke përdhosur parlamentarizmin dhe minuar funksionimin demokratik të Kuvendit./Albeu.com/


Shtuar 31.01.2023 18:21