Kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, së bashku me Edona Haklaj dhe një anëtar tjetër të kësaj force politike, janë marrë nën hetim nga policia.
Ata akuzohen për veprat penale “Pushtimi i tokës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” si dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar në rrjetet sociale vetë Lapaj, i cili shprehet se është proceduar sërish penalisht nga ajo që ai e quan “policia private” e Edi Ramës.
Në reagimin e tij, Lapaj deklaron se nuk ka frikë nga Rama dhe paralajmëron se protestat do të vazhdojnë çdo ditë në orën 19:00.
“Policia private e Edi Ramës më ka proceduar penalisht sërish sot për “Pushtim toke”, “Tubim të paligjshëm” dhe “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”. Është procedimi i 5 në 3 muaj protestë dhe i 2 në 48 orët e fundit.
Edi, unë nuk të kam frikë! Përndjekja policore që po më bëhet nga policia jote për motive qartësisht politike tregon se sa në hall je.
Ti sot more në mbrojtje antiligjin duke i bërë karshillëk qytetarëve dhe gjithë ndërkombëtarëve.
Çdo ditë në 19.00 ju pres te sheshi!” shkruan Adriatik Lapaj.
