Këtë të hënë, kanë mbërritur në Gjykatën e Fierit, tre autorët e dyshuar si të përfshirë në vrasjen e Anesti Ramës, që sipas hetimeve të deritanishme është mbytur me tel nga e bija 26-vjeçare, Ermalinda Rama, si edhe i dashuri i saj 55-vjeçar, Çlirim Dogani.
Në pamjet e siguruara shihet momenti, kur del nga furgoni i policisë fillimisht Çlirim Dogani, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, e më pas nënë e bijë, me veshje me lule dhe të lidhura bashkë me pranga.
Ata dolën para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtar Klodiana Keyeziu dhe prokurore Lorena Sallillari, ku do të njihen me masat e sigurisë.
Të tre akuzohen për vrasjen makabre të 56-vjeçarit, i cili fillimisht mësohet se është goditur në organet gjenitale me sende të forta dhe më pas është mbytur me tel.
Dinamika e krimit:
Anesti Rama dyshohet se mbyt me tel mbërmjen e 23 Korrikut nga vajza e tij 26-vjeçare, Ermalinda Rama në bashkëpunim me 55-vjeçarin Çlirim Dogani, me të cilin ajo sipas burimeve kishte nisur një lidhje intime.
Mësohet se në banesën ku ndodhi krimi, në fshatin Frashër të Fierit, në momentin e ngjarjes kanë qenë vajza e viktimës, i dashuri i saj Çlirim Dogani dhe e ëma e 26-vjeçares, Valbona Rama (njëkohësisht bashkëshortja e Anesti Ramës), të tre tashmë të vendosur në prangat e policisë.
Fillimisht dyshohet se Ermalinda ka goditur të atin në organet gjenitale dhe pasi 56-vjeçari ka rënë në tokë, Çlirim Dogani e ka mbajtur nga duart teksa 26-vjeçarja e mbyste me tel, raporton TCH.
Sipas policisë, dy autorët e dyshuar të krimit kanë përdorur sende të forta dhe mjete prerëse për kryerjen e vrasjes.
Ndërkohë bashkëshortja e viktimës akuzohet se ka ndihmuar vajzën e saj 26-vjeçare në fshehjen e gjurmëve duke pastruar gjakun nga trupi i viktimës.
Përfshirja në krim e 55-vjeçarit dhe lidhja intime me vajzën e Anesti Ramës është zbuluar nga përgjigjimi i telefonit, pasi Ermalinda ka komunikuar me të pas vrasjes së të atit.
Sipas burimeve, motra e Emalindës, e cila aktualisht jeton në Itali, është e martuar në fshatin Suk të Roskovecit.
Ajo mbante të motrën herë pas herë në shtëpinë e saj, ku punonte në serat e fermerëve të zonës Suk 1, Suk 2 si edhe në Arapaj, ku mësohet se Ermalinda është njohur me Çlirimin dhe dyshohet se kanë krijuar lidhje dashurore.
55-vjeçari, i cili u vendos në pranga më 26 Korrik, në dëshminë e dhënë për policinë pas arrestimit ka mohuar të gjitha akuzat.
Ai ka pretenduar se ndodhej në fshatin e tij Arapaj, shumë larg vendit të ngjarjes kur ndodhi krimi.
Çlirim Dogani mësohet se ishte i martuar dhe me fëmijë në moshë madhore. Ndërsa sipas burimeve, 26-vjeçarja ka qenë e fejuar 3 herë, por është ndarë.
Dyshimet janë se ajo i mori jetën të atit, 56-vjeçarit Anesti Rama, pasi e shihte si pengesë për lidhjen e re që kishte me 55-vjeçarin.
Njoftimi i policisë:
Punë e pandërprerë hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur në fshatin Frashër, ku shtetasja E. R. vrau për motive të dobëta, babanë e saj.
Vihet në pranga bashkëpuntori i 26-vjeçares.
Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë ndalimin e shtetasit Ç. D., 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Roskovec.
Nga kryerja e hetimeve dyshohet se ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetasen E. R., në vrasjen e babait të saj nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), si edhe duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.