U kapën me më shumë se 1 ton kokainë, dënohen me 183 vite burg 13 anëtarët e bandës së drogës në Danimarkë, 10 prej tyre shqiptarë

Gjykata e Lartë Lindore në Danimarkë ka dhënë vendim për çështjen “Goldfinger” në lidhje me trafikun e kokainës në sasi të mëdha nga një bandë e huaj.

Gjykata e Lartë Lindore ka shpallur fajtorë 13 persona, përfshirë 10 shtetas shqiptarë, për pjesëmarrje në një rrjet të organizuar që qëndronte pas kontrabandës, shpërndarjes dhe tregtisë së gjithsej 1122 kilogramë kokainë deri në arrestimin e tyre në 2019.

Personat e moshës 25 deri në 53 vjeç janë dënuar gjithsej me 183 vite burg, me 19 vite e katër muaj burgim për organizatorin.

Pas një hetimi të plotë, policia ka zbardhur një rrjet shqiptar që ka qenë pas një pjese të madhe të tregtisë së kokainës në Kopenhagen. Kokaina kontrabandohej nga Holanda, Belgjika dhe Gjermania dhe telefonat e koduar përdoreshin për komunikim dhe koordinim të ndërsjellë.

Në Danimarkë, rrjeti kontrollohej nga një shqiptar i ardhur në Danimarkë në vitin 1998 me një identitet të rremë. Më pas, organizatori ka sjellë për disa vite anëtarë të familjes në Danimarkë dhe Suedi për ta ndihmuar atë në këtë sipërmarrje.

Disa herë në muaj, tregtarët shqiptarë të kokainës përdornin dy dyqane suveniresh në Kopenhagen, ku të ardhurat nga shitja e kokainës, e cila arrinte në disa milionë korona daneze në cash, dorëzoheshin me synim konvertimin e mëvonshëm në euro jashtë vendit. Shumat e mëdha të eurove përdoreshin më pas për blerjen e kokainës së re jashtë vendit, ashtu siç fitimi nga shitja dërgohej vazhdimisht në Shqipëri me autobusë turistikë.

Më 26 qershor 2019, policia bëri arrestime si në Danimarkë ashtu edhe jashtë saj. Hetimi u zhvillua në bashkëpunim me policinë në Suedi, Gjermani, Slloveni, Belgjikë, Holandë, Shqipëri dhe me EUROPOL dhe EUROJUST.

Çështja është dëgjuar në Gjykatën e Qytetit të Kopenhagenit dhe më pas në Gjykatën e Lartë Lindore për një total prej 120 ditësh gjyqësore.

Vendimet në Gjykatën e Lartë Lindore u shpërndanë si më poshtë:

53-vjeçari: 5 vjet burg

51-vjeçari: 16 vite burg

50-vjeçari: 14 vjet burg

49-vjeçari: 15 vjet burg

48-vjeçari: 5 vite burg

46-vjeçari: 5 vjet burg

45-vjeçari: 19 vjet e katër muaj burg

44-vjeçari: 17 vite burg

40-vjeçari: 18 vjet burg

36-vjeçari: 19 vite burg

36-vjeçari: 18 vjet burg

33-vjeçari: 18 vite burg

25-vjeçari: 14 vjet burg


Shtuar 23.12.2023 17:35