U kapën duke shpërndarë ushqime për përfitime elektorale, arrestohen 3 punonjës të bashkisë Shkodër

Tre persona (punonjës të bashkisë Shkodër) janë arrestuar ditën e sotme. Sipas policisë, të tre këta shtetas janë kapur në flagrancë duke transportuar me furgon  50 qese me ushqime, për t’i shpërndarë te qytetarët, për përfitime elektorale.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:

-E. I., 31 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër;

-P. D., 49 vjeç, me detyrë Teknik i Shërbimeve Mbështetëse në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër;

-M. V., 63 vjeç, me detyrë Specialist i Financës në Drejtorisë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër.

Gjithashtu, nga veprimet e thelluara hetimore në lidhje me këtë rast, u bë i mundur konstatimi i shtetasit që kishte porostitur qeset me ushqime, konkretisht shtetasi A. B., 33 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, bashkia Shkodër, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 50 qeset me ushqime, si dhe automjeti me të cilin transportoheshin ato.

Materialet procedurale i kaluan  Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë./Albeu.com/

 


Shtuar 13.05.2023 09:50