U kap me kokainë në makinë, arrestohet shqiptari në Itali

Mediat italiane e kanë konsideruar si një nga goditjet më të mëdha të trafikimit të drogës që është kryer ndonjë herë në provincën Forli-Cesena.

Mbrëmjen e së martës në këtë provincë ka përfunduar në pranga një shqiptar i cili u kap me 15 kg kokainë në makinë.

Në afërsi të qytetit të Forli është ndaluar për kontroll një makinë me motor të madh, siç deklaron policia italiane, e drejtuar nga një shtetas shqiptar i panjohur në zonë, i cili u konstatua se nuk po respektonte rregullat e qëndrimit në shtetin fqinjë.

Gjatë kontrollit të makinës është vënë re shqetësimi i të riut, teksa policia kontrollonte sedilejt e pasme të makinës, u zbuluan 28 blloqe kokaine të fshehura, të cilat në total arrinin deri në 15 kg.

Kontrolli i mëpasshëm i shtëpisë së shqiptarit, i cili qëndronte me nënën e tij në Itali, lejoi gjetjen dhe sekuestrimin e 80 mijë eurove cash.

I riu u arrestua nën dyshimin se transportonte lëndë narkotike dhe u dërgua në burg.


Shtuar 13.12.2023 12:47