Ervis Brasha, i arrestuar në Kamëz nga policia pasi u gjet i veshur me një uniformë policie, ka deklaruar se e ka fiksim këtë uniformë dhe pasioni për policinë e ka bërë që të lidhë kontakte me shumë oficerë.
20-vjeçari për 4 muaj ka punuar si punonjës i Policisë bashkiake në Tiranë dhe më pas ishte larguar dhe kishte aplikuar në Akademinë e Sigurisë.
I riu nuk u shpall fitues, duke ngelur në testin psikologjik.
Ai po hetohet nëse është përfshirë në ndonjë paligjshmëri, por deri më tani nuk ka pasur denoncime ndaj të riut.
Pasi u ndalua në Kamëz, gjatë kontrollit në banesë iu gjetën 4 dokumente identifikimi me emra dhe fotografi të dyshuara të falsifikuara, 1 armë sportive të llojit pistoletë me 2 krehra përkatës, uniformë e Policisë së Shtetit, 16 stema dhe grada të ndryshme, si dhe 3 kapele me shenja të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Edhe për këto materiale të sekuestruara, ai deklaroi se ishte i apasionuar pas Policisë së Shtetit ndaj edhe i mbante në shtëpi.
			   
			   
			   
			   
			   
			   
			   
			   
						
						
						
						