Një punonjës i policisë Rrugore është pezulluar nga detyra pasi është filmuar duke marrë ryshfet nga një drejtues automjeti.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer veprimet e para hetimore për punonjësin Inspektor K. K., me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Tiranë.
Sipas njoftimit të AMP-së, ai akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Kujtojmë se video është publikuar në portalin “JOQ Albania”, duke nxitur reagimin e AMP-së, dhe pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e policisë.
Njoftimi i AMP-së:
Gjatë monitorimit të rrjeteve sociale u konstatuan në portalin “JOQ Albania” një postim me mbishkrim “I fut poshtë celularit dhe pastaj në xhep. Polici merr rryshfet në mes të rruges…”, ku gjithashtu nga pamjet filmike vërehet një punonjës policie që kryen veprime të dyshimta korruptive me një drejtues mjeti tip Audi me ngjyrë të zezë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka kryer veprimet e para hetimore dhe pas identifikimit të punonjësit të policisë Inspektor K. K., me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Tiranë, ka referuar materialet proceduriale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në ngarkim të tij, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës” parashikuar në nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e drejtuesit të mjetit.
