U jepnin ushqim të skaduar, Prokuroria e Vlorës nis hetimet për skandalin e qendrës për personat me aftësi të kufizuara

Prokuroria e Vlorës ka nisur një procedimpenal ndaj Qendrës për Personat me Aftësi të Kufizuara në Vlorë (PAK).

Kjo lëvizje e Prokurorisë vjen pas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit ndaj qendrës PAK, nga ku dolën një sërë problematikash duke nisur që nga abuzimet e firmës që kishte kryer punimet dhe deri te problemet me ushqimin për fëmijët me aftësi të kufizuar, të cilëve u jepeshin produkte të skaduara.

Sipas njoftimit të bërë nga Prokuroria e Vlorës, në fakt rezulton se skandali vijon me një tjetër skandal. Godina që u shërbente të miturve artikuj të pakonsumueshëm duke filluar që nga pulat e prishura e deri tek bulmeti i pakontrolluar në fakt kishte një tjetër plan, të cilin ashtu si aktin çnjerëzor do e bënin në heshtje.

Drejtuesit e Qendrës PAK në heshtje, dyshohej se po përgatitteshin të tjetërsonin pronën, duke bërë që fëmijët të largoheshin nga vendi për t’u ndërtuar më pas objekte disa katëshe. Vëmendja e dhënë së paku parandaloi një fat edhe më të zi që ishte revervuar për fëmijët, të cilët sipas planit të marrë Qendra, do dilnin fillkat në rrugë

Raporti i KLSH-së

Pak ditë më parë, nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit dolën në dritë një sërë problematikash në Qendrën e Personave me Aftësi të Kufizuar, duke nisur që nga abuzimet e firmës që kishte kryer punimet dhe deri te problemet me ushqimin për fëmijët me aftësi të kufizuar.

Në raportin e KLSH-së duket se është zbuluar një skandal akoma më i madh, ajo e tentativës për të zaptuar pronën dhe hequr fëmijëve për tu kthyer më pas në një vend ku të ndërtohen pallate.

“Bashkia Vlorë, rezulton se nuk ka kryer asnjë procedurë për të vijuar me regjistrimin e objektit në favor të saj, në kundërshtim me nenin 18, të ligjit nr. 8744, datë 22.2.2001 “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, i cili parashikon se të gjitha pronat, të cilat u kalohen në pronësi njësive të qeverisjes vendore sipas këtij ligji, do të regjistrohen në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, me pronar njësinë̈ përkatëse të qeverisjes vendore, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme” thuhet ndër të tjera në raport. Sipas raportit të KLSH-së, lënia si tokë “Shtet” për vite me radhë, ka bërë që sipërfaqja e qendrës PAK të reduktohet ndjeshëm përgjatë viteve duke ju marrë një pjesë e konsiderueshme e sipërfaqes së saj.

“Si pasojë e mos regjistrimit të truallit me nr. pasurie 24/1-T, kod unik 8602017041, në pronësi të bashkisë Vlorë dhe lënia për një kohë afërsisht 15-vjecare në pronësi “shtet”, mbi këtë truall kanë ndodhur ndryshimet si më poshtë, por jo vetëm:

– Pas vitit 2007 rezulton se është hapur një rrugë, e cila shërben si rrugë kalimi për banorët të cilët banojnë pas truallit objekt auditimi.

– Në vitin 2011 rezulton se një subjekt privat ka fituar të drejta pronësie mbi sipërfaqen 29 m2, me anë të procesit të legalizimit. Kjo sipërfaqe është certifikuar në favor të subjektit privat në vitin 2017.

– Në vitin 2019 rezulton i lëshuar një vendim “Për kalimin në pronësi të objektit të ngritur para dt. 10.8.91 dhe të truallit të tij funksional”, me anë të së cilit janë fituar të drejta pronësie mbi truall.
Nisur nga kjo situatë e cila rrezikon tjetërsimin e kësaj prone të lakmuar në Lungomaren e Vlorës duke nxjerrë fëmijët e sëmurë në rrugë, KLSH ka urdhëruar marrjen e masave për nisjen e procedurave që kjo pronë ti shkojë bashkisë si aset, ashtu siç e parashikon ligji. “Bashkia Vlorë (drejtoria e pronave publike dhe menaxhimit të aseteve) të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për përditësimin, inventarizimin, transferimin dhe regjistrimin e ndërtesës dhe truallit në pronësi të saj.

– Bashkia Vlorë (drejtoria juridike), pas përfundimit të procedurave të regjistrimit në pronësi të saj të truallit dhe ndërtesës , të marrë masa për nxjerrjen e një akti administrativ (vendim këshilli bashkiak) me qëllim kalimin e pasurisë në administrim të QZHPAK, për ushtrimin e funksionit për të cilën kjo pasuri është transferuar.

-Bashkia Vlorë në bashkëpunim me organet kompetente, të marrë masa për sistemin e kufijve të pasurisë truall dhe të rrugës së krijuar në përputhje me dokumentet e planifikimit të territorit.”


Shtuar 14.04.2023 10:08