Fëmijët e një kopështi shtetëror në qytetin e Gramshit janë paraqitur në spital me të vjella dhe temperaturë të lartë.
Simptomat e helmimit mjaft të dukshme tek rreth 70 fëmijë ngritën dyshimet për helmim nga ushqimi i kontaminuar.
Drejtoresha e Spitalit të Gramshit, Greta Lena, konfirmoi prezencën e salmonelës. Hetimet për rastin në fjalë vijojnë ndërsa mësohet se janë marrë monstra nga ushqimi për tu analizuar.
Prindërit e fëmijëve paralajmëruan protesta. Por kush është kompania e cila ka furnizuar kopështin me ushqime?
Hetimet janë përqendruar kryesisht tek furnizuesi i ushqimit me katering e cila është kompania “Nelsa shpk”, e cila ka fituar tenderin për furnizimin e kopshteve dhe çerdheve në bashkinë Gramsh që nga viti 2023.
Kjo kontratë është e vlefshme për 24 muaj dhe parashikon furnizimin me produkte ushqimore të standardit të lartë.
Kjo kompani ka një historik të gjatë të përfshirjes në tenderat publikë jo vetëm në Gramsh por edhe në institucione të tjera shtetërore. “Nelsa shpk” furnizon me ushqim spitalet dhe burgjet.
Shumica e tenderave janë të shënuara me flamur të kuq në prokurimet publike, pra një shenjë paralajmëruese për mungesë transparence ose dyshime për parregullsi të tjera.
“Nelsa shpk” rezulton të jetë aktualisht në pronësi të Elsa Kamberi (Balla), por themelues është babai i saj, Nexhmi Balla.
Kush është Nexhmi Balla dhe skandali i vitit 2016
Ky i fundit është mjaft i njohur për autoritetet në vendin tonë pasi në vitin 2016 u arrestua me disa biznesmenë të tjerë dhe zyrtarë burgjesh për një skandal të madh korrupsioni që përfshinte manipulimin e tenderëve për ushqimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Pas këtij skandali ku ishte i përfshirë, pronësia e kompanisë i kaloi vajzës së tij, Elsës