U gjet e pajetë poshtë urës së Dajlanit, zbardhet identiteti i së resë, policia shoqëron 17 persona

Detaje të reja janë bërë me dije për vajzën që u gjet e pajetë ditën e sotme poshtë urës së Dajlanit.

Policia njofton se bëhet fjalë për shtetasen L. P., 32 vjeçe, banuese në Sukth, Durrës. Dyshimet janë se ajo ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve në trup me një mjet prerës.

Ndërkohë, 17 persona që dyshohet se kanë dijeni për rastin janë shoqëruar në ambientet e policisë.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me një informacion të dhënë paraditën e sotme, se rreth orës 10:35, në lagjen nr.13, Durrës, poshtë urës së Dajlanit, ishte gjetur pa shenja jete, një shtetase, ju informojmë se:

Nga verifikimet e kryera u bë i mundur identifikimi i kësaj shtetaseje, konkretisht u gjet e pajetë shtetasja L. P., 32 vjeçe, banuese në Sukth, Durrës.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera paraprakisht nga grupi i posaçëm i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe nga ekspertët e mjekësisë ligjore, si dhe nga këqyrja e trupit të pajetë të 32-vjeçares, dyshohet se kjo shtetase ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve të marra në trup, nga një mjet prerës.

Deri më tani, në ambientet e Policisë së Durrësit, janë shoqëruar 17 shtetas të cilët dyshohet se kanë dijeni për këtë rast.

Grupi hetimor vijon hetimet e thelluara për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti, si dhe për të përcaktuar autorësinë e tij.


Shtuar 2.08.2023 16:25