Gazetari shqiptaro-amerikan Arian Asimi ka treguar përvojën e tij gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë nga opozita, duke përshkruar momentet e tensionit që përjetoi në terren.
Duke folur në lidhje direkte për “Oponencë”, Asimi tha se fillimisht u kishte kërkuar efektivëve të policisë të mos përdornin gaz lotsjellës. Ai u zhvendos më pas pranë një cepi afër Parlamentit, ku, sipas tij, një koktej molotov shpërtheu pranë këmbëve të tij, ndërsa dy persona që ndodheshin afër u larguan me vrap.
Gazetari tregoi se u mbulua pas një peme për t’u mbrojtur, ndërkohë që në zonë kaloi edhe automjeti i policisë që përdorte ujë me presion. Sipas tij, ai mbeti i bllokuar mes tymit dhe gazit lotsjellës, duke përjetuar vështirësi serioze në frymëmarrje, megjithëse kishte vendosur një maskë të lagur.
Asimi deklaroi se situata zgjati rreth dy minuta dhe se, sipas vlerësimit të tij, nëse do të kishte vijuar më gjatë, pasojat mund të kishin qenë të rënda. Megjithatë, ai u shpreh se do të marrë sërish pjesë në protesta.
Në fjalën e tij, gazetari kritikoi policinë për menaxhimin e situatës dhe adresoi akuza politike edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar përgjegjës për klimën e krijuar gjatë ngjarjes.
