U ekstradua nga Spanja para dy ditësh, GJKKO lë në burg Lulzim Berishën

Këtë të enjte, është mbajtur në GJKKO seanca për vlerësimin e kushteve të masës së sigurisë e Lulzim Berishës, ish-kreut të bandës së Durrësit, i cili u ekstradua dy ditë më parë nga Spanja në Shqipëri.

Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, GJKKO vendosi lënien në fuqi të masës së arrestit me burg të Berishës.

Gjykata e Posaçme në vitin 2020, caktoi ndaj Berishës masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Vrasja në rrethana cilësuese”, kundër 2 ose më shumë personave dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

54-vjecari në bashkëpunim me disa persona të tjerë, kanë plagosur 2 persona në vitin 2004, në 2005 ka vrarë me armë zjarri tre persona dhe ka plagosur një tjetër

Lulzim Berisha, u arrestua në shtetin spanjoll në dhjetor të vitit 2023, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë .


Shtuar 20.03.2025 10:24