U bllokuan, çfarë do të ndodhë tani me jahtet e oligarkëve të Putinit? Kush do t’i trashëgojë këto pasuri?

Qeveritë evropiane po nxitojnë të bllokojnë jahtet dhe vilat e oligarkëve rusë, të cilët po goditen nga sanksionet perëndimore kundër Moskës. Për shembull, Italia ka konfiskuar jahtin e Alexei Mordasov, ndërsa Franca ka sekuestruar jahtet luksoze të Igor Setsin dhe Alisher Usmanov.

Pyetja që lind është se çfarë do të ndodhë tani e tutje me këto jahte dhe pasuri të paluajtshme të konfiskuara, çfarë do të bëjnë vendet? Çfarë procedurash ndiqen dhe kush do të jetë “pronari” i ri?

“Ne jemi në ujëra të paeksploruar,” tha Benjamin Maltby, një partner në firmën ligjore britanike Keystone Law, e cila është e specializuar në çështjet e pronësisë së jahteve luksoze. “Është një realitet që nuk ka ndodhur kurrë më parë”.

Ekspertët argumentojnë se, në përgjithësi, sanksionet nuk i lejojnë vendet të fitojnë (kaq thjesht) pronësinë e jahteve, avionëve dhe shtëpive të oligarkëve rusë.

Sipas tekstit zyrtar të sanksioneve në Bruksel dhe Uashington, masat “nuk lejojnë ata që u pasuruan shumë në raport me popullin rus dhe ndihmuan Putinin të pushtojë Ukrainën, të përdorë pasuritë e tyre të ngrira dhe të ose të sekuestruara”.

Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Prona e “bllokuar” mbetet pronë e oligarkëve, por ata nuk mund ta shesin. Setsin dhe Mordasov, për shembull, mbeten pronarë të jahteve të tyre, por ata nuk mund t’i shesin apo udhëtojnë me to.

Që oligarkët të mos zotërojnë super jahtet, avionët dhe shtëpitë luksoze, duhet që të jepet një vendim në kuadër të një vepre penale.

“Qeveria duhet të provojë si krimin ashtu edhe lidhjen me të inkriminuar” tha Stefan Cassella, ish-kreu i Zyrës së Prokurorit të Maryland. Dhe kjo është diçka shumë e vështirë, pasi përveç aktivitetit kriminal, duhet vërtetuar se paratë e paligjshme janë përdorur për të blerë këtë jaht, avion apo vilë.

Sipas ekspertëve, procedurat ligjore për ndryshimin e pronësisë mund të zgjasin disa vite.

Shtetet e Bashkuara, për shembull, kanë ndihmuar Nigerinë të rekuperojë 300 milionë euro nga ish-diktatori ushtarak Sani Abacha, një proces që ka zgjatur më shumë se pesë vjet. Në mënyrë të ngjashme, në rastin e ish-kryeministrit ukrainas Pavlo Lazarenko, i cili u shpall fajtor për pastrim parash në SHBA, u deshën më shumë se 15 vjet.

Duhet të theksohet gjithashtu se oligarkët janë mjeshtra në artin e errët të fshehjes së parave dhe lidhjeve të tyre. Ata përdorin kompani, truste, offshore, etj., për të fshehur dhe për të mos zbuluar gjendjen e vërtetë të pasurisë së tyre. /abcnews.al


Shtuar 11.03.2022 11:35