Ministrja e re e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka bërë reagimin e parë pas betimit të saj në Presidencë paraditen e sotme.
Koçiu shprehet mirënjohëse për detyrën e re dhe thekson se është e vetëdijshme për sfidat që ka përpara dhe shpreson se do të vazhdojnë ndryshyimet në këtë sektor.
Ajo ka vlerësuar punën e paraardhëses së saj Ogerta Manastirliu, e cila mori postin e ministres së Arsimit.
“Me mirënjohje dhe përgjegjësi të lartë, jam e nderuar të pranoj detyrën e Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Dua të shpreh falenderimet e mia më të sinqerta për Kryeministrin Edi Rama, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe për të gjithë ata që kanë besuar tek unë, për t’i shërbyer vendit në këtë detyrë kaq të rëndësishme.
Gjithashtu, dua të vlerësoj punën e jashtëzakonshme të koleges time, Ogertës dhe profesionistëve të përkushtuar që i kanë shërbyer kësaj ministrie përpara meje. Jam e vetëdijshme për sfidat që kemi përpara dhe përkushtimin që duhet të tregojmë, të gjithë bashkë, prandaj me mbështetjen tuaj kam besim se do të vazhdojmë me ndryshimet e mëdha në këtë sektor jetik për qytetarët.
Shëndetësia dhe mbrojtja sociale do të vijojnë të jenë kryefjala e kësaj qeverie e cila rrugen e transformimit e ka shtruar gjatë gjithë këtyre viteve. E gjitha kjo, me synimin e vetëm që t’i plotësojë çdo familje shqiptare, nevojat për këto shërbime thelbësore”, shkruan ministrja.