U bë e famshme pasi e kapi kamera në tribunë, Greqia kërkon të dëbojë vajzën nga Kosova

Marigona, 24-vjeçarja nga Kosova që u bë e famshme pasi kamera e fokusoi në fund të ndeshjes së Euroligës së basketbollit Olympiacos-Villeurban, që u luajt në Athinë, është shndërruar në një personazh në Greqi.

Marigona ka shpjeguar në intervistat për mediat helene se nuk e priste të bëhej virale, ndërsa përmendi se ka marrë oferta edhe për modeling dhe pjesëmarrje në projekte televizive. Njëkohësisht, ajo rrëfeu edhe për përvojën e saj si infermiere në Gjermani, por edhe për mbështetjen që merr nga partneri i saj, me të cilin tashmë jeton në Athinë.

“Nuk ishte plani im që të bëhesha virale, u trondita, por ishte vërtet fantastike. Nuk e prisja që të ndodhte diçka e tillë. Kam pasur disa oferta modelingu, kam studiuar për infermieri në Gjermani. Në të kaluarën më kanë ofruar dhe projekte të tjera si Survivor dhe The Bachelor. Në fillim isha konfuze sepse jam më shumë introverte. Pas gjithë kësaj, thashë ta provoj dhe të bëj publik profilin tim në Instagram”, tha ajo.

Ndërsa për partnerin e saj, ajo u shpreh: “Partneri im është nga Selaniku. Në fillim qëndruam atje dhe kur erdhëm në Athinë për një ndeshje të Olympiacos, na pëlqeu qyteti dhe vendosëm të qëndronim këtu. Ai më mbështet në çdo gjë, nuk është aspak xheloz për mua”.

Por, vajza simpatike nga Kosova rezulton se ka probleme me ligjin, pasi nuk posedon dokumentet e nevojshme për të jetuar ligjërisht në shtetin helen. Mediat greke raportojnë se Marigona është arrestuar dhjetorin e kaluar nga policia e Livadhias pasi nuk ka leje qëndrimi dhe prej atëherë ajo ka nisur një betejë ligjore për të anuluar deportimin e saj.

Më 29 dhjetor 2023, ajo u arrestua gjatë një kontrolli të rastësishëm policor dhe autoritetet në Livadhja  vendosën ta ndalonin përkohësisht deri në përfundimin e procesit të dëbimit të saj. Por, për shkak të stërzgjatjes së këtyre rasteve, ajo është urdhëruar që brenda një muaji të largohet vullnetarisht nga Greqia.

Në vend që të largohej nga Greqia, Marigona zgjodhi të zhvillonte një betejë ligjore për të anuluar procedurat e saj të dëbimit. Ajo ka deklaruar para autoriteteve helene se jeton në vend që nga viti 2018 dhe ka punuar herë pas here si kujdestare fëmijësh dhe në shërbime katering.

Bukuroshja që ka lindur në Gjermani, por jeton në Athinë me partnerin e saj, që është një biznesmen i njohur grek, është ftuar në disa emisione televizive të mëngjesit dhe mbrëmjes pasi fotot e saj në tribunë bën xhiron e rrjetit dhe llogaria në Instagram iu rrit nga 90 ndjekës në 173 mijë.


Shtuar 21.11.2024 13:23