Këtë të enjte, në Gjykatën e Vlorës, do të zhvillohet seanca për masën e sigurisë ndaj 4 personave që u arrestuan së bashku me Flodian Plakun, i cili ishte në kërkim për vrasjen e Gentian Bejtjas.
Tre prej tyre akuzohen se e ndihmonin të kërkuarin e drejtësisë, ndërsa i katërti që u gjet nën shoqërinë e Flodian Plakut ishte i armatosur me pistoletë.
Albano Lapshi, Ligor Doko dhe Armand Dano, akuzohen për përkrahje të autorit të krimit. Bashkë me Pole Qorrin u kap edhe Julian Aliaj, i armatosur me pistoletë. Aliaj ka qenë më parë i dënuar për trafik droge.
Të katërt u kapën së bashku në Orikum me Flodian Plakun, i njohur edhe si Pole Qorri.
Ky i fundit strehohej në hotelin e Ligor Dokos. Albano Lapshi i dërgonte ushqim Flodian Plakut, kurse Armand Dano nga Shkodra ishte berberi i tij.
Në ditën e ndërhyrjes dhe arrestimit, policia ndoqi Albano Lapshin, personi që i çonte ushqimin ne hotel, si dhe berberi Armando Dano me origjinë nga Shkodra.
Kujtojmë se Flodian Plaku, u la në arrest në burg dy ditë më parë nga Gjykata e Tiranës. Ai akuzohet për vrasjen e Gentian Bejtjas, më 15 Mars 2024, në banesën e tij në Larushk të Fushë-Krujës.