U arrestua sot nga RENEA në Orikum, kush është Flodian Plaku? “Vrasësi me tre emra” u kap me dy armë me vete

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me RENEA-n dhe Forcat e Posaçme Operacionale kanë arrestuar sot në Orikum një nga personat më të kërkuar të botës së krimit në vend, Florian Plakun nga Vlora.

Flodian Plakun, 42 vjeç nga Vlora, i njohur ndryshe si “vrasësi me tre emra” për shkak të identiteteve të shumta që kishte përdorur ndër vite: Plaku, Serjani dhe Mamo u shpall në kërkim ndërkombëtar një vit më parë si një nga vrasësi e ish-policit Gentjan Bejtja.

Në momentin e ndalimit, Plakut iu gjetën dy armë zjarri që i mbante pa leje.

Flodian Plaku konsiderohet me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ka qenë në kërkim ndërkombëtar për vrasjen me paramendim të Gentjan Bejtjas, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024 në fshatin Larushkë të Fushë-Krujës.

Sipas të dhënave zyrtare, ekzekutimi i Bejtjas, ish-punonjës i Policisë, dyshohet të jetë kryer në kuadër të një hakmarrjeje brenda grupeve kriminale. Autoritetet shqiptare dhe Interpol Tirana e kishin shpallur Plakun në kërkim ndërkombëtar që prej muajit korrik, ndërsa dyshohej se fshihej në Spanjë apo Dubai.

Identifikimi i Plakut si autor i vrasjes u bë përmes një hetimi të thelluar kriminal dhe shkencor. ADN-ja e tij u gjet në një automjet tip Golf 7, që dyshohet të jetë përdorur për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Ai kishte qenë më herët i arrestuar për trafik droge, çka bëri që të kishte profile ADN-je në sistemin e Policisë Kriminale. Hetuesit siguruan gjithashtu të dhëna të rëndësishme nga agjencitë e udhëtimit dhe lëvizjet e tij në kufi.

Bashkë me të, autoritetet kanë hetuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë: Ilir Beqaraj (alias Ilir Brahimi dhe Ilir Mançellari), i arrestuar për pjesëmarrje në vrasje, mbajtje dokumentesh false dhe armëmbajtje pa leje, si dhe Edison Haxhiu, i akuzuar për sigurimin e mjeteve për të kryer krimin.


Shtuar 3.08.2025 20:03

Tags: ,