U arrestua për shpërdorim detyre, si u zbulua me “Google Earth” pallati që çoi pas hekurave Vangjush Dakon

Arrestimi i ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako ka zënë dje titujt kryesorë të mediave në vend.

“Në shënjestër” ka siguruar dosjen hetimore, ku zbulohen të pathënat e arrestimit të ish-zyrtarit.

I shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për korrupsion madhor, ai u bë kryebashkiaku i katërt socialist në harkun kohor të dy viteve, që ndjeu në kyçe ftohtësinë e prangave të drejtësisë së re.

I konsideruar si një zyrtar i paprekshëm, Vangjush Dako, një politikan vendor me peshë të madhe në qarkun e Durrësit, një nga njerëzit më pranë kryeministrit Edi Rama, që prej mesditës së të martës, ndodhet në qeli me urdhër të SPAK.

Njeriu që thirrej nën zë edhe si Gjushi i 339, dosjes së bujshme, ku ai dilte në përgjime me bosë të krimit, duke biseduar për shitblerje vote u vetëdorëzua në policinë e Tiranës, në valën e një furtune mediatike që kishte paralajmëruar një arrestim të mundshëm ditët e fundit.

Kryeministri Rama, i cili e konsideron Dakon mik dhe e mbronte dikur më shumë pathos, në momentin që ai përfundoi në qeli, u duk sikur u distancua prej tij e mes rreshtave shënjestroi SPAK.

“Kemi hyrë në një fazë të re, kur për herë të parë në historinë e popullit tonë po goditen njerëz të lidhur me pushtetin. Kjo nuk është e lehtë. Ka dhe gjëra që të bëjnë të ndjehesh jo mirë, qoftë sepse nuk ke si ndihesh mirë kur sheh dikë që deri dje ka qenë përkrah teje, është në krah të avokatit përballë prokurorit apo gjykatësit. Me siguri diçka ka ndodhur. Edhe kur e sheh se si mund të përdoret forca e pushtetit të drejtësisë për të bërë edhe gjëra që nuk shkojnë”, tha Rama.

Zyrtarisht SPAK e akuzon ish-qytetarin e parë të Durrësit, për shpërdorim detyre në dy episode.

I pari për një leje ndërtimi të dhënë 11 vite më parë për ndërtimin e një pallati që më pas u dëmtua nga tërmeti i fundit të vitit 2019 dhe tjetra për një tender që kishte synim zhvillimin e bregdetit të Currilave, por që mbeti vetëm në letër, që sipas SPAK i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.

Akuza për të cilat bashkë me ish-kryebashkiakun e Durrësit, SPAK ka firmosur urdhër arreste edhe për 6 persona të tjerë, ish-zyrtarë të bashkisë, në kohën që ky i fundit drejtonte punët lokale në qytetin bregdetar si dhe një ndërtues.

Tre ish-vartëse të Dakos janë dërguar nën masën e arrestit në shtëpi.

Por si u implikua Vangjush Dako në këto dy vepra penale?

Çfarë ka gjetur të paligjshme SPAK në veprimtarinë e ish-kryebashkiakut, që çoi deri në arrestimin e tij?

Dhe a janë këto dy akuza fillimi dhe fundi i hetimit për Vangjush Dakon, ndërkohë që mbi të kohë pas kohe kanë rënduar edhe dyshime të tjera lidhur mbi përfshirje e tij me grupe kriminale në zonë?

Dhe a janë këto dy akuza, korrupsioni madhor për të cilën SHBA u investua ta shpallë Non Grata?

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, i gjithë hetimi i konkluduar nga SPAK, është iniciuar në vitin 2020 pas një kallëzimi nga një grup banorësh të një pallati në Durrës; godinë e cila u dëmtua rëndë nga tërmeti i fuqishëm që goditi qytetin në fundin e vitit 2019.

“Paditësit janë të gjithë banorë të të njëjtit pallat, të ndërtuar nga Shoqëria ‘Fakle’ sh.p.k. me administrator shtetasin Fiqiri Faruku.
Sipas tyre, pallati është ndërtuar nga shoqëria ‘Fakle’ sh.p.k në vitin 2012, por nuk janë respektuar kondicionet strukturore të parashikuara në projekt, projekt i cili është miratuar më pas nëpërmjet lejes së ndërtimit nga organet kompetente të administrimit të territorit”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas banorëve ata kishin shprehur shpesh shqetësimin e tyre për kushtet teknike jo të mira në të cilat ndodhej pallati.

Por ankesat e tyre kishin rënë në vesh të shurdhër, derisa tërmeti i fuqishëm që goditi qytetin, solli edhe dëmtimin e parikuperueshëm të pallatit ku ata banonin.

“Ata pretendonin po ashtu se leja e ndërtimit për objektin ishte dhënë në kundërshtim me ligjin, si edhe me studimet gjeologjike dhe sizmike, ndërsa gjatë ndërtimit investitori nuk kishte respektuar as kushtet teknike të projektit të miratuar nga K.RR.T e Bashkisë Durrës.

Pallati sipas paditësve, nuk duhet të ishte kolauduar dhe as të jepej leja e shfrytëzimit për të, pasi dhe gjatë zbatimit të projektit, ndërtuesi nuk ka respektuar kushtet që parashikoheshin në projektin e miratuar”, thuhet në dosjen hetimore.

Por cila është sipas SPAK përgjegjësia e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako dhe e zyrtarëve të tjerë, në këtë padi të ngritur nga banorët e pallatit të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019?

Ku zë fill e gjithë kjo histori?

Në dosje thuhet se në korrik të 2010, shoqëria ndërtuese ‘Fakle’ SHPK me administrator Fiqiri Farrukun kërkon leje për një ndërtesë 7 katëshe. Në 20 dhjetor kërkoi një shtesë kati dhe në 22 dhjetor ka kërkuar leje për të shtuar 3 kate plus papafingo.

Prokurorët arsyetojnë se pasi ish-kryebashkiaku Dako njihet me këto kërkesa ia kalon zyrës së urbanistikës.

SPAK thekson se pavarësisht procedurave, punimet për ndërtimin e pallatit nisën në 2011.

Nga hetimet është provuar se ndërtimi është bërë pa leje. Soleta e katit të fundit, të 11 është hedhur në shtator 2011. Hetuesit e kanë verifikuar atë me imazhet e Google Earth.
Kur ndërtimi karabina ka përfunduar, KRRT e drejtuar nga Vangjush Dako, miraton shtesën e lejes.

Pavarësisht vendimit të marrë, sikurse rezulton në dosje, leja është zbardhur në 2014.

SPAK thotë se arkitektët dhe topografët kanë prodhuar dokumente të falsifikuara për kontrollet teknike të cilat duhet të ishin kryer që në 2011.

Destinacioni i kateve rezulton se ishte ndryshuar. Disa nga dyqanet ishin bërë garazhe.
Supervizori ndërkohë rezulton nga hetimet se nuk ishte i licencuar. Atëkohë ai ishte pensionist 79-vjeçar që më vonë ndërroi jetë.

Gjatë kësaj kohe, banorët që kishin blerë apartamentet kishin nisur të banonin në to.

SPAK e provon këtë fakt, me kontratat e ujësjellësit dhe atyre të energjisë.

Referuar dosjes hetimore, prokurorët argumentojnë se godina 11 katëshe është verifikuar pa një ekspertizë sizmiologjike.

Gjatë kësaj kohe Inspektorati i ndërtimit, kishte vendosur t’i pezullonte punimet, për shkak se kishte gjetur shkeljet. Pezullimi ishte bërë edhe me firmën e ish-kryebashkiakut,

Por duket se ky moment e implikon rëndë Vangjush Dakon, pasi edhe pse ishte në dijeni të shkeljes së lejes dhe ishte po ashtu në dijeni se ndërtesa ishte përfunduar, ka miratuar lejen, duke legalizuar në këtë mënyrë, godinën e ngritur në mënyrë të paligjshme.

Por siç thamë miratimi i lejes jashtë kushteve teknike të një pallati që më pas u dëmtua nga termeti i vitit 2019, nuk është akuza e vetme që rëndon mbi ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.

Pasi akuza e dytë e ngritur nga SPAK në drejtim të tij është ajo e një tenderi të zhvilluar në vitin 2014-2015.

Më konkretisht për atë që quhet Promenada 4, një projekt për të mbuluar me rërë bregun e detit te Currilat, por që thuhet se mbeti në letër dhe buxhetit të Bashkisë iu shkaktua një dëm i madh.

Hetimi për këtë rast, nisi pas kallëzimit të depozituar në SPAK nga ish-deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferraj.

“Në kallëzimin e tij, paditësi duke ju referuar dy raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pretendon se gjatë tenderimit të studimit të ‘Projektim zbatim për Promenaden Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila’ të parashikuar në buxhetin e Bashkisë Durrës, janë shkelur dispozitat ligjore të Ligjit të prokurimit, duke shkaktuar në këtë mënyrë një dëm ekonomik të konsiderueshëm prej rreth 18 000 000 lekë Buxhetit të Bashkisë Durrës”, thuhet në dosjen hetimore.

SPAK thotë se për këtë projekt, në shtator 2013 me firmën e Vangjush Dakos u ngrit një komision për caktimin e specifikimeve teknike që përbëhej nga Adhurim Qehahaj, Diana Dedja, Adnand Toçila.

Ky grup kishte detyrë të përcaktonte termat e referencës si dhe të gjithë specifikimet teknike për këtë procedurë.

“Lloji i procedurës ishte përcaktuar të ishte “shërbime konsulence”. Kontrata është lidhur mes Dakos si përfaqësues i autoritetit kontraktor dhe kompanisë, SPHAERA”, thuhet në dosjen hetimore.

Por hetuesit zbuluan se fondi limit është përllogaritur në kundërshtim me një vendim të qeverisë të vitit 1994 dhe kjo ngarkon me përgjegjësi anëtarët e komisionit të llogaritjes së fondit limit si dhe titullarin e autoritetit kontraktor, Vangjush Dako.

“Si pasojë e këtij veprimi në kundërshtim me VKM shoqëria SPHAERA ka përfituar padrejtësisht duke i shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të bashkisë në shumën e 18 mln lekëve”, thuhet në dosjen hetimore.
SPAK e akuzon Vangjush Dakon që jo vetëm nuk ka ushtruar autoritetin e tij dhe nuk ka marrë masa për kontrollin e veprimeve të komisionit, por nuk ka miratuar edhe urdhrin e prokurimit me vlerën e propozuar nga Komisioni.

Pozita e kryebashkiakut rëndohet pasi edhe pse ishte njoftuar nga Kontrollit i Lartë i Shtetit se në këtë procedurë ishin gjetur shkelje, ai ka vijuar me pagesat duke e thelluar edhe më shumë dëmin ekonomik.

“Nga hetimi ka rezultuar se pagesa e këstit të dytë është kryer gati 6 muaj pasi KLSH i kishte bërë me dije Bashkisë së Durrësit shkeljet ligjore dhe evidentimin e dëmit ekonomik për këtë procedure”, sqarohet në dosjen hetimore.

SPAK thotë se Vangjush Dako dhe vartësit e tij me ndërgjegje dhe vullnet kanë kryer veprime të kundraligjshme në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës duke sjellë si pasojë dëmin ekonomik të buxhetit të Bashkisë. Ata jo vetëm që nuk kanë marrë asnjë masë për rikuperimin e dëmit ekonomit sipas rekomandimeve të KLSH, por 6 muaj pasi janë vënë në dijeni për shkeljet ligjore kanë vijuar me veprimet e tyre duke thelluar dëmin ekonomik.

SPAK thekson se pretendimet se ka qenë një gabim material, ose lapsus sikurse e paraqesin të dyshuarit, nuk qëndrojnë.

Por kjo më sipër është vetëm një pjesë e historisë me të cilën tashmë, ish-kryebashkiaku i Durrësit duhet të përballet me drejtësinë.

Njeriu i cili thuhet se ishte mëkëmbësi i kryeministrit Rama në Durrës, por që në vitin 2019, DASH e sanksionoi, duke i ndaluar përjetësisht të futet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me familjen.

“Vangjush Dako, bashkëshortja e tij Alba Dako, djali Xhulio Dako dhe vajza e tij Kejsi Dako nuk lejohen të hyjnë në Amerikë.
“Emërtim publik për shkak të përfshirjes në korrupsion të rëndësishëm të Vangjush Dakos, kryetar i bashkisë së Durrësit në Shqipëri. Sekretari i Shtetit po e përcakton publikisht kryetarin e bashkisë së Durrësit në Shqipëri Vangjush Dako, sipas Seksionit 7031(c) të Departamentit të Shtetit FY 2019. Seksioni 7031 (c) parashikon që, në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarë të huaj kanë qenë të përfshirë në një korrupsion të konsiderueshëm ose një shkelje të madhe të të drejtave të njeriut, ata individë dhe anëtarët e tyre të ngushtë të familjes nuk kanë të drejtë për hyrje në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftimin e DASH.

Por pavarësisht këtij sanksionimi të rëndë të ardhur direkt nga partnerët e Shqipërisë, kryeministri Rama nuk e lëshoi asnjëherë atë që e shpesh e cilësonte si mikun e tij, pavarësisht çfarë do gjëje që do t’i ndodhte.

As atëherë kur emri i Vangjush Dakos doli në përgjimet e grupit kriminal Abdylaj në Shijak.

Ku në vitin 2019, doli se ai bisedonte për shitblerjen e votave në qarkun e Durrësit.
Zbulime të këtyre përgjimeve sollën përplasje të forta politike.

Por kryeministri Rama edhe këtë herë nuk e lëshoi mikun e tij Vangjush Dako, edhe pse ky më pas u shpall ‘Non grata’ nga amerikanët.

Hetime e nisura për një çështje trafiku droge, zbuluan përfshirjen e njerëzve të botës së krimit, në shitblerje të votës.
Bisedat e përgjuara nga prokuroria për Krime të Rënda, nxorën në dritë faktin se Vangjush Dako komunikonte me anëtarët e grupit Avdylaj. Njëri nga trafikantët dëgjohet t’i thotë kryebashkiakut se do t’i propozojë Edi Ramës një njeri të tijin për kandidat për deputet. Në shkëmbim, socialistet në Shijak do të merrnin një rezultat suprizues.

Dako që e nisi karrierën politike në 2007 kur ishte vetëm 41 vjeçar me një peshë të vogël politike, atëkohë do të shndërrohej në njeriun më të pushtetshëm në qark.
Ai kishte mbajtur disa detyra të rëndësishme në Durrës nga 2001-2005 si drejtor i Policisë Ndërtimore dhe drejtues i zyrës vendore të Hipotekave në Durrës.

Por pas shpalljes Non Grata pasi ishte kapur gafil në biseda me anëtarë të krimit të organizuar në zgjedhjet lokale të 2019, Partia Socialiste nuk e kandidoi për kryebashkiak.

Megjithatë Vangjush Dako nuk e humbi pushtetin e tij në Durrës.

Ai mbeti njeriu hije në zonë, duke vazhduar të jetë suksesi i makinës elektorale të socialistëve.

Por cili do të jetë fati i Vangjush Dakos në vazhdim?
A do mundet ai t’ia dalë mbanë në këtë betejë të nisur me drejtësinë?

Apo akuzat e ngritura ndaj tij, në raport me ato çfarë duhet të ishin janë siç thoshte edhe ai vetë, vetëm një akullore, përpara atyre që duhet të ishin në të vërtetë dhe mendonin amerikanët kur e shpallën Non Grata./ BW

 


Shtuar 7.06.2023 20:46