U arrestua nga SPAK/ “Cinco Cavalli” distancohet nga ish-pronari: S’ka më lidhje me ne

Biznesmeni Ermir Ndreaj, u arrestua pak ditë më parë nga SPAK në kuadër të një operacioni të kryer në bashkëpunim me autoritetet europiane, ku u godit një rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës, duke sekuestruar kokainë me vlerë tregu prej 411 milionë eurosh.

Sipas SPAK, ky grup i strukturuar kriminal vepronte përmes një organizimi të sofistikuar dhe trafikonte kokainë nga Amerika Latine, drejt disa vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Ermir Ndreaj, ishte duke shijuar rrezet e diellit në një skaf luksoz në zonën e Palasës, kur efektivët e policisë i shkuan papritur për ta arrestuar. Ai nuk është një emër i padëgjuar për mediat, teksa në emër të tij dhe të bashkëshortes së tij, Elira Ndreaj, rezultojnë një sërë biznesesh.

Jo më larg se pak muaj më parë, gazeta belge shkruante për aktivitetetet e dyshimta në të cilat ishte përfshirë Ndreaj, si dhe bashkëpunimin e tij në aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine në Evropë me Eldi Dizdarin, të njohur ndryshe edhe si Denis Matoshi. Emri i Eldi Dizdarit nisi të lakohej me shkatërrimin e kartelit “Bello”, në kuadër të të cilit u bënë një sërë arrestimesh dhe sekuestrimi pasurie.

Por, ndryshe nga Dizdari që jeton dhe fshihet në Dubai, Ndreaj jetonte në Tiranë, duke rezultuar edhe si një biznesmen mjaft i fuqishëm pasi ka ngritur aktivitete si klub nate, restorant luksoz si dhe një klinikë estetike mjaft me emër.

Ndreaj njihet nga rrethi i tij i bashkëpunëtorëve si “Cinco”, pseudonim që e ka përdorur për t’i vënë dhe emrin një prej ish-bizneseve të tij, club-in e natës “Cinco Cavalli” në Durrës, të cilin tashmë nuk e zotëron më.

Por, në një reagim të fundit për mediat, “Cinco Cavalli”, kërkon që të dalë “e pastër” nga trafiku i drogës së ish-pronarit të saj, ku deklaron se Ermir Ndreaj nuk ka më lidhje me pronësinë apo menaxhimin e subjektit.

“Cinco Cavalli Group dëshiron të sqaroje opinionin publik lidhur me një informacion të gabuar të publikuar sot në disa media online, ku është përmendur emri i një personi te arrestuar, qe ka lidhje me kompaninë tonë.

Theksojmë se ky person nuk ka asnjë lidhje me Cinco Cavalli Group, as në pronësi, as në menaxhim, dhe as në ndonjë funksion tjetër të lidhur me aktivitetin e kompanisë sonë. Çdo përpjekje për ta lidhur atë me emrin e Cinco Cavalli është e pavërtetë dhe e pabazuar.

Ky sqarim bëhet me qëllim të ruajtjes së integritetit të kompanisë dhe për të shmangur çdo keqkuptim të mëtejshëm. Jemi të gatshëm të ofrojmë çdo informacion shtesë për të garantuar transparencë dhe qartësi maksimale për publikun dhe median”, – thuhet në reagimin e “Cinco Cavalli”.

Por, mjafton vetëm një kërkim i thjeshtë në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) për të vërtetuar lidhjet e trafikantit të dyshuar të drogës Ermir Ndreaj me “Cinco Cavalli-n”.

Emrir Ndreaj rezulton themeluesi me 100% të aksioneve i “Cinco Cavalli-t” më datën 8 Qershor të vitit 2016, ku kapitali themeltar i kompanisë ka qenë 100 mijë lekë të reja.

 

 

Ndërkohë, dy vite më vonë, më 27 Qershor të vitit 2018, Ermir Ndreaj i ka transferuar 100% të aksioneve në emër të shtetasit Enio Jahelezi.

Trasnferimi i aksioneve ka ndodhur për një shumë prej 250 mijë eurosh, e cila do të paguhej në dy këste me nga 125 mijë euro për dy vite me radhë.

 

 

Pra, pas arrestimit si trafikant kokaine, “Cinco Cavalli” mohon themeluesin e saj, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me Ermir Ndreajn.


Shtuar 28.07.2025 13:55