Shkodër- Policia e Shtetit ka rikthyer në detyrë një nga Komisarët e saj, që dy vite më parë u pezullua, arrestua dhe akuzua për tenderin e rikonstruksionit të Komisariatit të Malësisë së Madhe.
Saimir Rrustemi konfirmohet se së fundmi është riemëruar në detyrën që mbante më parë, si Shef i rendit në Policinë e Shkodrës. Ai ka zëvendësuar në detyrë Genc Reçin, i cili mësohet se është transferuar në postin e shefit të Stërvitjes në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, po në Shkodër.
Historia nis fiks dy vite më parë, në muajin Korrik 2022, kur Rrustemi, së bashku me 13 efektivë të tjerë të policisë së qarkut, ra në pranga si i “dyshuar në përfshirjen e disa tenderëve për rikonstruksionin e Komisariatit në Malësinë e Madhe, në vlerën 2 milionë lekë”, bazuar në një kontroll Auditi.
Komisari i mohoi publikisht akuzat në atë kohë dhe madje u mbrojt në Gjykatë. Kjo e fundit pasi shqyrtoi aktet e dosjes së Prokurorisë, e liroi tre ditë pas ndalimit, duke lehtësuar masën në “arrest në shtëpi” dhe më pas “detyrim paraqitjeje” për Rrustemin, bashkë me të tjerët, më 24 Gusht 2022. Të njëjtin vendim mori edhe Apeli më pas, më 30 Gusht, duke lehtësuar masat.
Atëkohë u zhvilluan edhe protesta qytetare nga komuniteti në Shkodër, që kërkonin veçanërisht lirimin e komisarit, duke e cilësuar si një “efektiv të ndershëm”, madje edhe para institucionit të Gjykatës.
Pasi kaloi një vit me hetime, Prokuroria nuk ka gjetur prova të arsyeshme për ta akuzuar dhe gjithashtu dënuar. Dosja dhe akuzat ndaj tij u pushuan.
Fillimisht Rrustemi u ul vitin e kaluar në detyrë, teksa u emërua në Dibër në sallën operative në Drejtorinë Vendore. Më tej u emërua shef i Krimeve në Komisariatin e Vaut të Dejës për pak muaj dhe këtë vit është rikthyer në postin që mbante para se të arrestohej dhe akuzohej.
Pasi u akuzua dhe nisi betejën për drejtësi, Rrustemi do shprehej: “Ju ishit forca ime! E drejta do dalë në dritë”, teksa tani ka rimarrë gradën dhe pozicionin e punës.