Altin Ndoci, i cili një ditë më parë u arratis nga Spitali i Durrësit, dyshohet se fshihet në Tiranë.
Sipas gazetares, Xhensila Kodra, janë zhvilluar disa kontrolle në zona të ndryshme të Tiranës, konkretisht në Astir, Don Bosko, Selitë etj.
Gjithashtu, është kontrolluar edhe banesa e tij në Yzberisht, por familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për vendndodhjen.
Si rrugë lidhëse me Durrësin, kontrolle u kryen edhe në rrugën e Ndroqit.
Tetë persona janë vënë në pranga në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit. Mes të arrestuarve, janë dhe kryeinfermieri Aulon Çuko dhe Zëvendës shefi i komanduar i policisë së burgut, Desdemon Pazaj.
Emrat e të arrestuarve
Aulon Çuko- Kryeinfermieri
Desdemon Pazaj, zëvendës shefi i policisë
Pesë policët e shoqërimit: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi, Aranit Çela
Violeta Uka
PAMJET FILMIKE
Pamjet filmike tregojnë qartë se Ndoci zbret nga ambulanca i lirë, pa pranga, dhe më pas shoqërohet drejt godinës së spitalit nga efektivët.
Fakti që ai ndodhej pa masa sigurie fizike bie në kundërshti me rregulloren, pasi për shkak të rrezikshmërisë së tij, Ndoci duhej të ishte i prangosur gjatë gjithë kohës së shoqërimit.
Po ashtu, janë publikuar edhe pamjet që tregojnë momentin kur Altin Ndoci, largohet me vrap nga ambientet e Spitalit të Durrësit, duke iu shmangur rojeve të sigurisë.
Në video, ai shihet duke vrapuar mes automjeteve në parkimin e spitalit dhe më pas zhduket pas një ndërtese, ku dyshohet se e priste një automjet tip “Audi”, me të cilin u arratis.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme kur Altin Ndoci, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshi vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, u arratis ndërsa shoqërohej për një vizitë mjekësore në spitalin e Durrësit.
Ai dyshohet se ka kërkuar të shkojë në tualet, ku ka shfrytëzuar rastin për t’u arratisur. Mësohet se Ndoci ka goditur edhe një efektiv dhe me pas është larguar me vrap. Me pas ai ka hipur ne një automjet “Audi” dhe është larguar.
“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Altin Ndoci, po gjykohet për një sërë veprash penale të rënda dhe në dosje të ndryshme. Së fundmi, ai u dërgua për gjykim nga SPAK në tetor 2025, si pjesë e organizatës kriminale për të cilën akuzohen vëllezërit Çopja.
I arrestuar prej vitit 2020, Ndoci është identifikuar nga të penduar të drejtësisë si pjesëmarrës në disa atentate në luftën mes grupeve kriminale në vend.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, nuk i sqaroi rrethanat e arratisjes. Ajo bëri me dije se Ndoci, ishte shoqëruar në spital nga strukturat e burgjeve dhe se arratisja ka ndodhur brenda godinës së përshtatur për trajtimin e të burgosurve.
“Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit”, thuhet në njoftimin e DPB.



