Shqiptari Daniel Muka, i akuzuar për vrasje të dyfishtë në Maltë, është lënë në qeli.
Lajmin e bëri të ditur një gjykatës, i cili tha të mërkurën se shqyrtoi disa faktorë përpara se të refuzonte kërkesën për lirim me kusht nga shqiptari Daniel Muka, një nga tre të akuzuarit për një vrasje të dyfishtë në Sliema, në Maltë, rreth dy vjet më parë.
27-vjeçari shqiptar u vendos nën akuzë në prill, për vrasjen e Christian Pandolfino dhe Ivor Maciejoëski. Viktimat u vranë në shtëpinë e tyre në Locker Street më 18 Gusht 2020. Hetuesit besojnë se ngjarja ndodhi gjatë një tentative grabitjeje.
Muka u arrestua disa ditë më vonë. Dy bashkëpunëtorët e tij të dyshuar, maqedonasi Viktor Dragomanski dhe danezi Jesper Kristiansen, po përballen me akuzat në procese të ndara.
Sipas mediave vendase, kërkesa e Mukës për lirim me kusht u depozitua nga avokatët Alfred Abela dhe Rene ‘Darmanin, të cilët sollën gjithashtu dy dëshmitarë të cilët u shprehën të gatshëm t’i ofronin të akuzuarit strehim dhe punësim.
Gjykatësi Aaron Bugeja renditi faktorë të ndryshëm për refuzimin e lirimit me kusht, përfshirë natyrën e akuzave dhe rrethanat e veçanta të çështjes.
Ai shpjegoi se kur kërkohet të arrihet një ekuilibër mes interesave të shtetit, viktimave dhe të akuzuarve, gjykata duhet të marrë parasysh edhe dënimin e mundshëm që në këtë rast mund të jetë burgim i përjetshëm.
Prokuroria vuri në dukje rrezikun e arratisjes së Mukës nga Malta, si dhe karakterin dhe dosjen kriminale të të akuzuarit. Muka po ashtu dështoi që të paraqiste dikë që të ndërhynte si garant personal, vuri në dukje gjykata.
Në fund gjykata nuk ishte e bindur se i akuzuari mund të ofronte garanci të mjaftueshme për t’iu përmbajtur kushteve të lirimit me kusht.