Turqia po përgatit një operacion special ushtarak në Siri (FOTO LAJM)

Turqia është duke planifikuar një operacion special ushtarak në Siri.

Sipas burimeve, Turqia “do të shënjestrojë” grupet e armatosura kurde në dy qytete të Sirisë Veriore në një operacion të ardhshëm ushtarak.

Kështu ka deklaruar Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan.

“Ne po bëjmë një hap tjetër në krijimin e një zone sigurie prej 30 kilometrash përgjatë kufirit tonë jugor. Ne do të pastrojmë Tal Rifatin dhe Manbixhin nga terroristët”, tha ai në një takim të partisë së tij në pushtet në parlament.

Erdogan vijoi se forcat turke do të vazhdojnë më pas, “hap pas hapi, në rajone të tjera”.

Dy qytetet, që shtrihen në perëndim të lumit Eufrat, kontrollohen nga grupi i armatosur kurd sirian, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG).

Ankaraja e konsideron YPG-në një grup “terrorist”, për të cilin thotë se është i lidhur me luftëtarët e armatosur vendas që i përkasin Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën Turqia e ka cilësuar gjithashtu si një organizatë “terroriste”.

PKK-ja ka zhvilluar një kryengritje të armatosur kundër Turqisë që nga viti 1984 dhe dhjetëra mijëra njerëz kanë vdekur në konflikt.

Qeveria turke ka akuzuar YPG-në se ka sulmuar forcat turke të sigurisë në Siri.

“Do të shohim se kush do t’i mbështesë këto operacione të sigurisë të kryera nga Turqia dhe kush përpiqet t’i kundërshtojë ato”, tha Erdogan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi Turqinë kundër një operacioni të ri ushtarak dhe i kërkoi Ankarasë t’u përmbahet linjave të armëpushimit të vendosura në 2019.

“Është diçka që ne do ta kundërshtonim”, tha Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Shqetësimi që kemi, është se çdo ofensivë e re do të minonte stabilitetin rajonal dhe do t’u ofronte aktorëve keqdashës mundësi për të shfrytëzuar paqëndrueshmërinë”, tha Blinken.

Turqia ka nisur tre operacione ushtarake në veri të Sirisë që nga viti 2016, duke pushtuar zona përgjatë kufirit në atë që ajo thotë se është një përpjekje për të siguruar kufirin e saj nga kërcënimet nga ISIS dhe YPG.

Forcat Demokratike Siriane (SDF), të lidhura me YPG-në, paralajmëruan se një operacion ushtarak nga Ankaraja do të minonte përpjekjet për të luftuar luftëtarët e grupit të armatosur të ISIS në Sirinë Verilindore.

“Në rast të një sulmi, ne do të ndalojmë luftën tonë kundër grupit të Shtetit Islamik dhe do të fillojmë masat ushtarake kundër pushtimit turk”, tha Farhad Shami, zëdhënës i forcës së udhëhequr nga kurdët për agjencinë e lajmeve AFP, përcjell Albanian Post.

Erdogan, gjatë fundjavës, tha se Turqia nuk do të presë lejen nga Shtetet e Bashkuara përpara se të nisë një operacion të tillë.

Nga ana tjetër, ai i tha presidentit rus Vladimir Putin se, në bazë të një marrëveshjeje të vitit 2019 e nënshkruar midis dy vendeve, lejohet krijimi i një zone sigurie përgjatë kufirit turko-sirian.

Ai ka kundërshtuar gjithashtu aplikimet e fundit të Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO, mbi atë që Turqia e cilëson butësinë e tyre ndaj grupeve të armatosura kurde.

Turqia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për aplikimin suedez dhe finlandez të NATO-s pa parë “dokumentet” që demonstrojnë një qasje të ashpër ndaj atyre që Ankaraja i konsideron “terroristë”, tha Erdogan.

Si Manbij, edhe Tal Rifat, kanë popullsi të madhe kurde dhe shtrihen pranë kufirit të Turqisë me Sirinë.

Kapja e tyre do t’i lejonte Erdoganit të zgjeronte dhe thellonte të ashtuquajturën “zonë të sigurt” përgjatë kufirit ku Ankaraja shpreson të rivendosë refugjatët sirianë.

Por sipas Rami Abdul Rahman, kreut të Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, i cili monitoron dhunën në Siri, operacioni turk mund të shkaktojë një valë të re zhvendosjesh.

Më shumë se 100 mijë njerëz u zhvendosën vetëm nga qyteti i Afrinit gjatë operacionit turk të vitit 2018, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara.

Shumica e njerëzve shkuan në Lindje në Tal Rifat.


Shtuar 2.06.2022 20:18