Turqia nxori në pah një prirje globale:zgjedhjet e lira por jo të ndershme

Nga Fareed Zakaria “Washington Post

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Shumë nga ne kishin shpresa të mëdha për zgjedhjet e fundit parlamentare në Turqisë. Besonim se një fitore e dukshme e opozitës, mund të shënonte një ndarje me prirjen mbarëbotërore drejt demokracisë jo liberale.

Por ndoshta të gjithë gabuam, të joshur nga iluzioni i zgjedhjeve të lira dhe duke besuar në fund të fundit tek vullneti i popullit. Në fakt, ajo që ndodhi në Turqi fundjavën e kaluar nxjerr në pah tendencën më të fundit dhe më shqetësuese në ngritjen e demokracisë jo liberale.

Ndërsa presidenti aktual Recep Tayyip Erdogan nuk fitoi që në raundin e parë, rezultati ishin një lloj fitoreje për të. Ai ia doli më mirë se sa parashikuan sondazhet dhe doli shumë përpara kundërshtarit të tij kryesor, gjë që i jep me shumë gjasa për të fituar në balotazhin e  28 majit.

Dhe kjo është mbresëlënëse, duke qenë se Turqia është një vend në një krizë të thellë ekonomike dhe më një inflacion shumë të lartë. Për më tepër zgjedhjet u zhvilluan vetëm disa muaj pas një tërmeti shkatërrues, pas të cilit qeveria reagoi fillimisht shumë dobët.

Megjithatë, merrni pak parasysh sfondin e këtyre zgjedhjeve. Erdogan garon kundër Kemal Kilicdaroglu, kandidatit të opozitës, një burokrat i pangjyrë dhe pa shumë karizëm apo elokuencë. Nga ana tjetër opozita kishte pak alternativa në dispozicion. Sepse presidenti kishte eliminuar tashmë nga fusha rivalin e tij më të fuqishëm të mundshëm, Ekrem Imamoglu, një politikan karizmatik nga e njëjta parti që vjen edhe Kilicdaroglu, i cili kishte arritur një seri fitoresh.

Në vitin 2019, Imamoglu fitoi me lehtësi zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Stambollit, një pozicion kyç, që dikur ishte trampolina e vetë Erdogan drejt pushtetit. Por mbi baza më të dobëta, partia e Erdogan pretendoi për manipulime dhe Këshilli Zgjedhor urdhëroi një raund të ri votimi.

Imamoglu i fitoi zgjedhjet e dyta me një diferencë edhe më të madhe. Kështu Imamoglu u akuzua më pas për fyerje të zyrtarëve publikë dhe u gjykua nga një gjyqësor i cili është cilësuar gjerësisht si i mbushur me besnikë të partisë në pushtet. Dhe dhjetorin e vitit të kaluar, një gjykatë e ndaloi Imamoglun të përfshihej në politikë dhe e dënoi me gati 3 vite burg.

Vendimi është ankimuar në apel. Por Imamoglu u pengua të kandidojë për presidencën. Kësisoj, fusha e lojës politike në Turqi është anuar masivisht në favor të Erdoganit. Shteti shpërndan fonde për mbështetësit e tij dhe media e vendit është skllavërisht pro-qeveritare. Shumica e mediave kryesore në Turqi janë blerë nga drejtues të bizneseve që janë mbështetës të Erdoganit. (Grupi më i madh i biznesit që ruajti distancën nga presidenti u përball me akuza të shumta për mashtrim tatimor, dhe në fund u detyrua t’i shesë aksionet e tij mediatike tek një pronar më i bindur ndaj pushtetit).

Televizioni shtetëror, burimi kryesor i lajmeve në vend, lavdëron pa pushim virtytet e Erdogan dhe partisë së tij, si dhe trumbeton arritjet e qeverisë. Në prill, TV shtetëror shpenzoi 32 orë në mbulimin e Erdoganit kundrejt vetëm 32 minutave për kundërshtarin e tij.

Nga të gjitha demokracitë, Turqia është vendi që burgos më shumë gazetarë. Qeveria turke ngriti më shumë se 30.000 padi për veprën penale të “fyerjes së presidentit”, vetëm gjatë vitit 2020. Qeveria e Erdogant ka vendosur vazhdimisht nën kontroll institucione që supozohet të jenë të pavarura, përfshirë gjykatat por edhe organin që mbikëqyr zgjedhjet. (Nëse zgjedhjet e balotazhit të 28 majit do të prodhojnë një rezultat shumë të ngushtë dhe kandidati i opozitës është në krye, mund të jeni të sigurt se Erdogan do të apelojë dhe autoritetet zgjedhore do të vendosin për të, ashtu siç bënë në rastin e kryebashkiakut të Stambollit).

Organizatat joqeveritare do të përballen me një mbikëqyrje edhe më të ashpër nga qeveria, duke e kufizuar aftësinë e tyre për të vepruar. Qeveria ka miratuar ligje që parashikojnë një kontroll të rreptë mbi mediat sociale dhe gjatë zgjedhjeve të 14 majit, ajo i kërkoi Twitter të bllokojë përkohësisht llogaritë e 12 figurave të opozitës.

Pas tërmetit të 6 shkurtit, kur qeveria u përball me kritika të forta në mediat sociale për keq-menaxhimin e katastrofës, ajo u mjaftua sërish me bllokimin e Twitter-it për njëfarë kohe. Kjo është risia e radhës në demokracinë jo liberale. Presidentët dhe kryeministrat e zgjedhur, e përdorin shumicën e tyre për të miratuar ligje që u japin atyre një përparësi të qëndrueshme strukturore ndaj kundërshtarëve.

Ata i përdorin fondet e qeverisë për t’u dhënë para mbështetësve të tyre. Ata paraqesin padi kundër grupeve të pavarura të medias, hetojnë gazetarët dhe OJQ-të dhe reformojnë agjencitë dhe gjykatat e pavarura duke i bërë të varura nga partia në pushtet. Dhe pastaj mbajnë zgjedhje “të lira”.

Taktikat e Erdogan do të duken si shumë popullore për qytetarët në shumë demokraci në mbarë botën. Merrni Indinë, dikur vendi i mediave shumë të pavarura.

Sot, ajo ka rënë në vendin e 161 në indeksin e lirisë së shtypit të publikuar nga organizata “Reporterët pa Kufij”. Ose shikoni Hungarinë, ku qeveria dhe bizneset pro-qeveritare kontrollojnë pothuajse të gjitha mediat e vendit, dhe ku organi që mbikëqyr gjyqësorin është shndërruar në një krah de fakto të partisë në pushtet, duke shkaktuar zemërimin e Bashkimit Evropian.

(Kryetari i parë i këtij institucioni ishte kumbari i fëmijës më të madh të kryeministrit Victor Orban). Apo Meksikën, ku presidenti është përpjekur të shkatërrojë autoritetin e pavarur të zgjedhjeve.

Kur zgjedhjet mbahen në këto rrethana dhe vëzhguesit ndërkombëtarë vërejnë se fletët e votimit janë hedhur dhe numëruar siç duhet, dhe më pas vërtetojnë se zgjedhje të tilla kanë një konkurrencë të vërtetë, ata janë duke i bërë një shërbim të keq botës. Ne kemi nevojë për një fjalor të ri për ta përshkruar këtë fenomen. A janë zgjedhje të tilla të lira? Teknikisht po. por ato janë gjithashtu shumë të pandershme. /albeu.com


Shtuar 22.05.2023 18:16