Turqia është shpresa e vetme e BE-së për ri-përcaktimin e vetes në skenën globale

Nga Philip Balboni “Foreing Policy

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

E themeluar mbi rrënojat e Perandorisë Osmane, Turqia e kaloi pjesën më të madhe të shekullit të saj të parë duke ndjekur një program politik modernizues dhe perëndimor, për të cilin shumë njerëz shpresuan se do të dëshmonte të drejtën e saj për t’u përfshirë brenda strukturave evropiane.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të qeverive të njëpasnjëshme, Turqia është përjashtuar herë pas here nga Bashkimi Evropian. Ky përjashtim është i përfshirë në një debat të gjatë dhe të shëmtuar rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh evropian, bazuar në shqetësimet gjeopolitike dhe ksenofobike.

Gjithsesi në Turqi, mund të ketë ende një dritare për ndryshim. Nëse kandidati pro-evropian i opozitës Kemal Kilicdaroglu e rrëzon presidentin Recep Tayyip Erdogan në balotazhin e 28 majit, BE-ja do të ketë edhe njëherë mundësinë për t’u zgjeruar në lindje dhe për t’i treguar botës se ka ndryshuar.

Në një artikull të vitit 1919 me titull “Shpërndarja e Turqisë”, New York Times shkruante ndër të tjera se lejimi i turqve për të mbajtur kontrollin e Stambollit do të ishte “një tjetër nga kompromiset e panumërta të çështjes turke, që kanë sjellë kaq shumë telashe në shekujt e kaluar”.

Ndërsa aleatët fitimtarë po sulmonin territoret e Perandorisë Osmane dhe po mendonin se si të aneksonin një pjesë të madhe të Anadollit nga një shtet turk post-osman, NYT mbështeti dhënien e Konstandinopojës Mbretërisë së Greqisë, duke dëbuar kështu “pushtuesit barbarë që për një kohë të gjatë e rrënuan Evropën.”

Por ëndrra e “asgjësimit” të turqve nuk ishte e veçantë vetëm për New York Times. Edhe pse një aleat i Perëndimit (si në Luftën e Krimesë), “turku i tmerrshëm” tallej dhe përçmohej në kryeqytetet evropiane si antagonisti kryesor i Evropës së krishterë.

Por në realitet, turqit kanë qenë gjeografikisht pjesë e Evropës që nga shekulli XI-të, dhe kanë marrëdhënie të thella politike, kulturore dhe ekonomike me fqinjët e tyre perëndimorë. Për më tepër përbërja gjenetike e Turqisë moderne, është afërsisht 40 për qind evropiane. Megjithëse marrëdhënia moderne e Turqisë dhe Evropës ka qenë e diskutueshme, ajo është më e ndërlikuar sesa armiqësia e ndërsjellë. Siç ka shkruar Orhan Pamuk, në Turqi, Evropa është perceptuar edhe si “vizion i së ardhmes” dhe si “kërcënim”; “herë si një shfaqje e dëshiruar dhe herë si diçka e frikshme”.

Gjatë gjithë shekullit XX-të, politikanët në të dyja anët e Bosforit punuan për të forcuar lidhjet midis tyre. Ndërsa disa turq kishin frikë se kjo do ta kërcënonte autonominë e

vendit të tyre, qeveritë e njëpasnjëshme shpresonin që ky partneritet do të ndihmonte në modernizimin e ekonomisë por edhe për të fituar legjitimitet politik në skenën botërore.

Por rruga e Turqisë drejt partneritetit u vështirësua nga paqëndrueshmëria e brendshme politike, si dhe një histori e respektimit të dobët të të drejtave civile dhe të njeriut. Historia e grushteve të shtetit, së bashku me dhunën politike intensive të viteve 1970, detyruan liderët evropianë që të linin për një kohë të dytë diskutimet për integrimin ekonomik dhe politik  të Turqisë brenda Evropës.

Këtyre shqetësimeve iu shtuan disa të tjera, sidomos përplasja turko-greke në Detin Egje, pushtimi i Qipros nga Turqia dhe shtypja e pakicës së madhe kurde. Kësaj i duhet shtuar edhe mosgatishmëria e Turqisë për të njohur gjenocidin armen.

Pavarësisht legjitimitetit të këtyre shqetësimeve, turqit mendonin se vendi i tyre po trajtohej me standarde më të rrepta se sa kandidatët e tjerë potencialë për anëtarësim në Komunitetin Ekonomik Evropian, sot BE. Edhe pse nënshkroi marrëveshje doganore në vitin 1995 dhe fitoi statusin e kandidatit në vitin 1999, rrugëtimi i Turqisë ishte i ngadaltë, ndërsa vendet e tjera ecën shumë më shpejt.

Çështjet e qeverisjes, ekonomisë dhe të drejtave të njeriut atje, si ato që pengonin Turqinë, nuk penguan një numër shtetesh të Evropës Qendrore dhe Lindore si Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia që të merrnin statusin e BE-së. ndërsa kërkesat e Turqisë u refuzuan vazhdimisht.

Këto shtyrje u justifikuan zyrtarisht duke thënë se Turqia duhej të bënte më shumë përparim në zhvillimin e një ekonomie tregu dhe arritjen e reformave politike demokratike. Por shumë njerëz në Turqi besonin se shqetësimet politike dhe ekonomike nuk ishin pengesat reale për integrimin.

Sepse disa vende evropiane – përfshirë Austrinë, Danimarkën, Francën, Greqinë, Luksemburgun dhe Holandën – u mbështetën tek zërat islamofobiokë dhe dallimet civilizuese për të kundërshtuar anëtarësimin e Turqisë në union. Për shumë turq kjo u vërtetua nga një deklaratë publike në vitin 1997 nga përfaqësuesit e Partisë Demokristiane Gjermane: “Bashkimi Evropian është një projekt qytetërues, dhe brenda këtij projekti qytetërues Turqia nuk ka vend!”.

Pas reformave të rëndësishme demokratike (edhe të pamjaftueshme), qeveria e një Erdogani në atë kohë pro-evropian çeli në vitin 2005 bisedimet zyrtare të pranimit në BE duke entuziazmuar shumë njerëz në Turqi. Por skepticizmi i vazhdueshëm nga ana e shumë liderëve evropianë ndaj një kombi me shumicë myslimane e dëmtoi përparimin e negociatave.

Udhëheqësit e shquar të BE-së, e bënë të qartë se ishin kundër anëtarësimit të Turqisë për shkak të kulturës dhe identitetit, po aq sa për shkak të politikave në vend. Në kundërpërgjigje, nisi të bjerë mbështetja e turqve për anëtarësimin në BE. Ngrirja e bisedimeve të anëtarësimit ndodhi në vitin 2019.

Perspektivat për rinovimin e diplomacisë në këtë fushë duken të pakta, por situata e brendshme në Turqi mund të ndryshojë së shpejti. Kilicdaroglu ka shprehur interes të fortë për avancimin e bisedimeve të pranimit Turqi-BE. Edhe nëse ai nuk do të arrijë të fitojë balotazhin, ka shumë gjasa që një Erdogan fitimtar, që njihej prej kohës si një kameleon politik, të ndryshojë mendjen e tij për marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin.

Negociatat e reja Turqi-BE do t’u japin të dyja palëve një mundësi shumë të artë për përfitime ekonomike dhe gjeopolitike. Popullsia në rritje e Turqisë është e re, e aftë, dhe do t’i ofronte punëtorë shumë të nevojshëm Evropës në plakje. Në këmbim, liria e lëvizjes pa viza në Evropë, mund të zbusë shkallën në rritje të papunësisë në Turqi.

Për më tepër, Turqia zotëron sektorë të fuqishëm prodhues dhe bujqësor, si dhe potencial për të vepruar si një qendër energjetike në kanalizimin e naftës dhe gazit natyror nga Azia Qendrore dhe Lindja e Mesme në Evropë. Hyrja në bashkimin doganor mund të lehtësojë tregtinë dhe të forcojë PBB në të gjithë kontinentin.

Po ashtu, përfaqësuesit turq në Bruksel do të ndihmonin shumë në negociatat me kombet me shumicë myslimane, si dhe me shtetet joperëndimore që e shohin ende Evropën si fanatike dhe imperialiste. Rifillimi i negociatave do të godiste rëndë populizmin e krahut të djathtë dhe diskurset e shovinizmit evropian, të cilat e mbështesin identitetin evropian tek idetë e homogjenitetit racor dhe fetar (dhe shpesh supremacisë) dhe jo tek përkushtimin kozmopolit ndaj pluralizmit, barazisë dhe universalitetit të dinjitetit dhe të drejtave njerëzore.

Mundësia e anëtarësimit të Turqisë në BE i ofron Evropës mundësinë për t’u bërë ajo që ka aspiruar prej kohësh. Duke mirëpritur zyrtarisht Turqinë në komunitetin e saj, Evropa do t’i dërgonte një sinjal të qartë botës së dikurshme të kolonizuar, e ndikuar gjithnjë e më shumë nga thirrjet egoiste të Moskës dhe Pekinit për anti-imperializëm, se kontinenti mund të demonstrojë multikulturalizmin që ka përqafuar prej kohësh jashtë vendit, por që rregullisht kundërshtohet në shtëpi. /albeu.com

Marrë me shkurtime
Shënim:Philip Balboni, kandidat për doktoraturë në antropologjinë kulturore në Universitetin e Kalifornisë, mbi trashëgimitë e orientalizmit dhe perëndimorizimit në politikën dhe shoqërinë bashkëkohore turke.


Shtuar 25.05.2023 12:04