Turqia dhe Ballkani si “fronti” i dytë rus i Luftës së Ukrainës

Nga Brian Michael Jenkins “Rand Corporation

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Turqia e dënoi menjëherë pushtimin e Rusisë dhe i pengoi anijet luftarake ruse që të kalonin nëpër Ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve dhe në Detin e Zi. Po ashtu ajo kufizoi fluturimet ushtarake ruse nëpër territorin e saj, megjithëse lejohen fluturimet tregtare midis dy vendeve.

Ndërkaq Ankaraja i ofroi Ukrainës dronë të avancuar ushtarakë dhe e ka ndihmuar Ukrainën në prodhimin e dronëve të saj. Turqia nuk është anëtare e BE-së; dhe ajo nuk i është bashkuar sanksioneve ekonomike të BE-së apo të SHBA-së ndaj Rusisë. Megjithatë ka treguar gjithashtu se nuk do të përpiqet të anashkalojë sanksionet dhe ka deklaruar se do të respektojë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga OKB-ja.

Bankat turke kanë pezulluar përdorimin e sistemit rus të pagesave MIR, që mund të ishte i nevojshëm për të shmangur sanksionet ndaj institucioneve të saj financiare. Po ashtu, ajo ka lehtësuar dërgimin e gazit natyror nga Azerbajxhani në Bullgari për të zëvendësuar gazin rus.

Ankaraja e mbështet rikthimin nën kontrollin e Kievit të gjithë territorit të pushtuar nga Rusia – përfshirë Krimenë – dhe ka deklaruar se nuk do të njohë kurrë aneksimet e Rusisë në Ukrainë. Ajo ka ndërmjetësuar shkëmbimin e të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës dhe ka lehtësuar marrëveshjen që lejoi dërgimin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi.

Por njëkohësisht, Turqia duket se po e shfrytëzon situatën për përfitimet e veta ekonomike. Oligarkët rusë mbeten të pa shqetësuar në Turqi, dhe kjo e fundit po përfiton në disa mënyra nga largimi i kapitalit jashtë Rusisë: turizmi rus në Turqi mbetet i fortë, kompanitë turke po përpiqen aktualisht të zëvendësojnë firmat perëndimore që janë tërhequr nga Rusia.

Përgjigja e kalibruar e Turqisë ndaj luftës në Ukrainë është në përputhje me interesat e saj strategjike. Kontrolli rus i Ukrainës përbën një kërcënim afatgjatë për Turqinë. Por ndërkohë Ankaraja i frikësohet asaj që mund të ndodhë në një periudhë afatshkurtër: Çfarë mund të bëjë Rusia tani që të mundet t’i shkaktojë probleme serioze Turqisë?

Por nga ana tjetër një Rusi e mposhtur, në kaos dhe e paqëndrueshme mund të jetë një kërcënim po aq i madh. Pra, ndërsa Turqia dëshiron që Ukraina të fitojë, ajo dëshiron që kjo të ndodhë pa kolapsin e plotë të Rusisë. Dhe ajo dëshiron që t’i arrijë të gjitha këto pa rrezikuar marrëdhëniet e ngushta të Turqisë me Moskën, dhe pa prishur mundësitë e biznesit të Turqisë me Evropën.

Është një shteg vërtet shumë i ngushtë. Për më tepër kjo përgjigje shumë e kalibruar e Turqisë, jep arsye për të qenë mosbesues, sidomos kur shihet nga thjerra e bashkëpunimit gjithnjë e më të ngushtë të Turqisë me Rusinë për çështjet e mbrojtjes. Në vitin 2019, Turqia bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400.

Ajo lëvizje i kushtoi Turqisë pjesëmarrjen në programin e avancuar të avionëve luftarakë F-35. Në vitin 2021, Turqia njoftoi se po merrte pjesë në projekte të mëtejshme të përbashkëta të armëve me Rusinë, përfshirë prodhimin e avionëve luftarakë dhe nëndetëseve. Ndërsa në shtator 2022, Turqia tha se do të kërkonte anëtarësimin e plotë në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, një krijesë e Rusisë dhe Kinës, e cila fokusohet në shqetësimet e sigurisë dhe mbrojtjes.

Nga perspektiva rajonale e Ankarasë, kjo është logjike. Por nga perspektiva e NATO-s, është e sikletshme, pasi veprime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimet e besueshmërisë së Turqisë si aleate.

Një shqetësim i menjëhershëm është njoftimi i Turqisë se do të vendosë veton ndaj pranimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO. Edhe pse në të kaluarën e ka mbështetur zgjerimin e NATO-s, tani ajo po kërkon që Suedia dhe Finlanda të godasin aktivitetet e të emigrantëve turq atje – sidomos separatistëve kurdë – të cilët Ankaraja i konsideron terroristë, përpara se t’i lejojë ata të bashkohen. Tërmeti i fortë që goditi Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt, mund të mos ndikojë drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë. Por për momentin Ankaraja mund të jetë më e prirur të shmangë deklaratat provokuese.

Rusia mund të nxisë trazira në Ballkan

Nxitja e ambicieve revanshiste të Vladimir Putinit, është frika e kahershme e Rusisë nga copëtimi. Shpërbërja e Ballkanit në vitet 1990 ia përforcoi këto frikëra. Moska nuk e pa shpërbërjen e Jugosllavisë si rezultat i dinamikave komplekse etnike dhe politike, por si një ndryshim regjimi të sponsorizuar nga SHBA.

Sipas pikëpamjes ruse, Shtetet e Bashkuara inkurajuan destabilitetin politik, mbështetën separatizmin dhe financuan disidentët kundër qeverisë qendrore të Jugosllavisë, të përfaqësuar nga Serbia. Po ashtu e përdorën demokratizimin, ruajtjen e paqes dhe shqetësimet humanitare si pretekste për ndërhyrje ushtarake.

Shtetet e Bashkuara ndihmuan Kroacinë dhe Bosnjën gjatë luftërave të tyre me Serbinë. OJQ-të perëndimore u siguruan kundërshtarëve të regjimit ndihmë humanitare, ndërsa Shtetet e Bashkuara dërguan kontraktorë privatë dhe këshilltarë ushtarakë për të ndihmuar në trajnimin e ushtrisë kroate.

Në kundërpërgjigje të spastrimit etnik dhe masakrave të myslimanëve nga forcat serbe në Bosnje, SHBA ndërhyri direkt ushtarakisht. NATO vendosi zona ndalim-fluturimi, rrëzoi avionët jugosllavë dhe më pas me miratimin e OKB-së, bombardoi forcat serbe në Bosnje në vitin 1995 dhe ato shtetërore në Serbi gjatë Luftës së Kosovës.

Rezultati përfundimtar i luftërave ballkanike ishte shpërbërja e Jugosllavisë, zvogëlimi i Serbisë pro-ruse dhe rrëzimi dhe gjykimi në Hagë për krime lufte i liderit të saj, Slobodan Milosevic. Rusët druheshin se i njëjtë ishte plani për copëtimin e Rusisë.

Që nga luftërat ballkanike, 5 vende janë anëtarësuar në NATO: Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia. Të gjitha ato kanë kërkuar anëtarësimin në BE, të cilin tashmë e kanë arritur Kroacia dhe Sllovenia. Ndërkohë Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë kandidate.

Por urrejtjet e vjetra nuk tejkalohen kollaj. Separatistët serbë mbeten të vendosur për t’u shkëputur nga Bosnja. Pas luftës së saj kundër Serbisë, Kosova mbeti nën administrimin ndërkombëtar për një dekadë. Më pas e shpalli pavarësinë e saj në 2008, të cilën Serbia ende refuzon ta njohë.

Tensionet vazhdojnë ende, dhe vitin e kaluar të dyja vendet gati hynë në luftë. Pengesë mbeten edhe çështjet e korrupsionit, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Derisa ato të zgjidhen, anëtarësimi në BE mbetet jashtë diskutimit. Në Serbi, ndikimi rus mbetet i fortë, i përforcuar nga operacionet e vazhdueshme dhe intensive të informacionit, si dhe nga pozicioni i fortë i Rusisë në ekonominë serbe.

Para fillimit të luftës në Ukrainë, prania e korporatave ruse zinte deri 1/3 e PBB-së së vendit. Por Rusia ka përdorur edhe kompanitë hungareze për të zgjeruar ndikimin e saj në Ballkan. Qeveria serbe është përpjekur të qëndrojë neutrale ndaj luftës në Ukrainë. Presidenti i saj dëshiron anëtarësimin në BE, por në të njëjtën kohë refuzon t’i bashkohet sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, ose të ndërpresë marrëdhëniet e saj të ngushta me Moskën.

Disa analistë mendojnë se Rusia mund të nxisë trazira në rajon për ta shpërqendruar vëmendjen nga Ukraina. Evropianët nuk mund t’i përballonin konfliktet e mëparshme në Ballkan pa ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së dhe tani të kombinuara me luftën në Ukrainë, problemet shtesë mund të dobësojnë vendosmërinë evropiane, gjë që përbën një nga synimet kryesore të Putinit.

Historikisht, Rusia është sjellë në mënyrë agresive në Ballkan. Atentatet dhe komplotet për grusht shteti janë të mundshme. Në përgjigje të këtyre kërcënimeve, mund të shtohen përpjekjet diplomatike të BE-së për të zgjidhur çështjet lokale dhe për të përshpejtuar negociatat e integrimit në union. /albeu.com

Marrë me shkurtime

 


Shtuar 8.03.2023 09:26