Turp për një vend që kërkon të hyjë në BE”/ Baze tregon dy reformat që Rama duhet t’i bëjë edhe nëse merr kosto

Gazetari Mero Baze, ka folur për mandatin e katërt të qeverisë Rama dhe mundësinë e kryeministrit për të ndërmarrë reforma të guximshme, çka ia lejon pushteti që ka aktualisht.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Baze tha se është nevojë emergjente për Shqipërinë, decentralizimi i pushtetit vendor, pasi bashkitë nuk kanë kompetenca dhe gjithçka varet nga qeverisja vendore. Sipas Bazes, “pushteti vendor në Shqipëri, është pushteti më qesharak në botë”.

“Kam një sërë dilemash dhe dyshimesh se ç’mund të prodhojë për keq mandati i katërt, ashtu siç ka edhe gjëra që mund ti prodhojë për mirë, por ajo që jam i bindur është fakti që Rama, është shumë i fortë politikisht brenda partisë dhe shumë i fortë në të gjithë vendin, është një shans i rrallë për të, sepse mandatet e tjera nuk i ka patur kaq të forta dhe solide, që në mandatin e katërt ai të bëjë të kundërtën e asaj që i ka dhënë mandati popullor, të decentralizojë pushtetin vendor, që është nga gjërat më të rënda dhe defektet më të mëdha që ka Shqipëria dhe që është nga detyrimet për ne, për të hyrë në BE dhe duhet të kthejë sytë nga fshati, i cili përbën 2/3 e shtetit shqiptar. Kur them duhet të decentralizojë pushtetin vendor, duhet të them që pushteti vendor në Shqipëri, është pushteti më qesharak në botë. Kryetarët e bashkive nuk kanë në dorë asgjë, përveçse të marrin rrogën dhe të paguajnë rrogat. Populli nuk e di dhe i quan kryetarë bashkie, por po ta dijë i zë me gurë…

Ata nuk kanë asgjë në dorë. Taksat dhe tatimet ia merr qeveria, ekonominë lokale e ka qeveria qëndrore, ti mund të kesh në bashkinë tënde një minierë ari apo kromi, apo pus nafte, por janë të qeverisë qëndrore. Biznesin e vogël e ka pa taksa, të vetmet taksa që mund të merrte bashkia. Investimet vijnë nga qeveria qëndrore. Shëndetësia dhe arsimi varen nga qeveria qëndrore. Për turp të madh, këto të fundit që po them janë gjëmat e Edi Ramës. Ujësjellësit, varen nga qeveria qëndrore, OSHEE varet nga qeveria qëndrore, hipoteka po kështu. Më fal, përse mund ti ankohesh ti kryetarit të Bashkisë së Vlorës? Më thuaj. Hipotekën, nuk e pyet ai, nuk e qas fare. Ujësjellësin e ka Bela, nuk e pyet fare. OSHEE, e ka ai tjetri. Shëndetësinë, ajo e shëndetësisë. Arsimin e ka ajo e arsimit. Taksat i merr ky i financave. Çfarë do të bëjë ai ditëzi, përse do ti bërtasësh atij? Çfarë do të bëjë ai? Lejet i ka brigadierja e ndërtimit që është në Tiranë dhe i jep për të gjithë Shqipërinë, tani çfarë pune ka bashkia? Në këtë pikë ku ka arritur centralizimi i pushtetit vendor në Shqipëri, i ka bërë qesharakë. Është e hidhur ta them. Pushteti më i decentralizuar në Shqipëri, ka qenë pushteti i Enver Hoxhës. Kryetari i komitetit bënte të gjithë punët, sot kryetari i bashkisë nuk bën dot asnjë punë.

Sfida kryesore e Edi Ramës, është të dorëzojë pushtetin lokal në dorë të atyre që janë zgjedhur. Pushteti lokal është kot, në dorë të qeverisë qëndrore dhe me xhelozi të madhe, se mos kanë ndonjë kompetencë kryetarët e bashkive. Çdo gjë, çdo fond, çdo gjë që lëviz, është ose nga Fondi i Zhvillimit ose nga linjat e ministrive që investojnë. Kryetarët e bashkive janë thjesht disa vasalë politikë që punojnë. Sfida kryesore e Ramës, që të decentralizojë pushtetin, ta dorëzojë, ta kthejë te i Zoti dhe është komod, për shkak se ka shumicë të madhe në Parlament dhe shumicën e pushtetit vendor, pra e ka pak më të lehtë, sepse të vetëve po ua dorëzon hë për hë…”, tha Baze.

Reforma e dytë ku qeveria socialiste duhet të fokuset, sipas Bazes, është “integrimi i fshatit në shtetin shqiptar” dhe zhvillimi i bujqësisë.

“E dyta që mendoj se është problem i madh, integrimi i fshatit shqiptar në shtetin shqiptar. Kjo që bëjnë këta, me fshatin shqiptar, ka shkatërruar gjithë bujqësinë, që është dega më e rëndësishme e ekonomisë kombëtare, që i ka ardhur fati në derë për shkak të turizmit. Meqenëse turizmi mbërriti në Shqipëri, bujqësia është e vetmja degë e ekonomisë, që mund të përfitonte nga turizmi dhe të kapilarizonte, të ardhurat nga turizmi, në të gjithë ekonominë shqiptare.

Bujqësia shqiptare është e paralizuar së pari nga ligji 7501, për shkak të ndarjes abuzive të tokave, të cilat kanë 35 vjet pa punuar. Nuk ka asnjë komb, as një shtet në botë, që 35 vjet, në mënyrë të papërgjegjshme, lejon që një tufë fshatarësh shqiptarë, të kenë marrë një copë letër që e kanë humbur edhe atë dhe të thonë, ajo toka atje është e imja, mos e prek, se unë jam në Greqi po punoj tokën e grekut apo italianit. Ka 35 vjet që Shqipëria nuk zhvillohet, sepse çdo investitor që do të shkojë në fshat, nuk kanë me kë të flasin për tokën. Qeveria nuk flet sepse ua ka ndarë fshatëarëve, ndërsa fshatarët nuk kanë letrat…

Për këtë arsye qeveria duhet të bëjë një reformë të thellë e cila ka kosto politike, por Edi Rama e ka këtë luks sepse nuk ka më kosto politike. Po të ishte në situatë tjetër nuk e bënte dot. Ndaj them se duhet të jetë prioritet i këtij mandati. Edi Rama nuk e zhbën dot ligjin 7501, sepse ajo është bërë tani, por mendoj se mund të bëhen disa reforma që ta tejkalojnë efektin e keq të ligjit 7501. Fjala vjen duhet të vendoset një koefiçent boniteti mbi tokat, që kjo tokë është pasuri kombëtare, duhet të japë për Shqipërinë kaq lekë, ti thua që është e jotja, por duhet të dorëzosh kaq lekë, ndaç punoje ose jo, ndryshe shteti e shtetëzon dhe mund të nxisë forma të tjera të zhvillimit të bujqësisë.

Mund të jetë nxitja e atyre, se ka emër të keq tu thuash kooperativa bujqësore, por kooperative ose ferma, si të duash quaje, investitorët që duan të investojnë, ti kthejnë në aksionerë pronarët e tokave, me përqindje modeste sa i takon, dhe të zhvillojnë bujqësinë duke konsideruar edhe ata si pjesë të biznesit të tyre. Kjo që fshatarët, edhe kur duan ta shesin, ta shesin sikur ësht truall për kullë… Toka bujqësore në të gjithë botën e ka çmimin 1 dollarë për metër katror, në Francë e ka 1 dollarë. Këtu ta shesin sikur do të bësh ndërtesë. Nuk ka njeri që ble tokë bujqësore 20 dollarë metri katror, që të mbjellë domate që bëjnë 30 cent. Pra reforma për fshatin, duhet të përfshijë tejkalimin e efekteve negative të ligjit 7501, subvencione të forta për prodhimin blegtoral dhe bujqësor dhe rregullimin e jetës sociale në fshat, që për mua është një nga gjërat kryesore që mund të nxisë kthimin e njerëzve në fshat.

Të nxitet zhvillimi, një njeri që ka jetuar në Tiranë, nuk mund të kthehet në fshat që nuk ka as ujë dhe as drita, as kanale, që ka qenë të egër rrugëve dhe njerëz të çmendur që mund të të vrasin… Duhet që rregullat me të cilat administrohen qytetet, të administrohen edhe fshatrat. Njerëzit nuk kthehen, për shkak të infrastrukturës, për shkak të subvenciove që mungojnë dhe nuk kthehen edhe për shkak të jetës sociale, nuk ka më vajza që duan të martohen në fshat, duket banale, por nuk gjen ndonjë vajzë ta martosh në fshat dhe nëse nuk martohen më njerëz në fshat dhe nuk lindin më fëmijë, nëse ky cikël mbyllet siç po mbyllet, Shqipëria do të kthehet në një kapanon gjigand, ku njerëzit flenë në qytet, ata që jetojnë dhe punojnë këtu, të tjerët jashtë shtetit, kthehet në një vend konsumator pa asnjë vlerë.

Reformat e mëdha që duhet të bëjë qeveria në mandatin e katërt, sepse e ka të plotë mandatin dhe nuk ka kosto, madje edhe sikur të humbasë zgjedhjet e tjera, i bën nder vetes po të bëjë këto reforma, me qëllim që fshati shqiptar të integrohet në shtetin shqiptar. Fshati shqiptar nuk ka asnjë lidhje me shtetin shqiptar, as paguan taksa, as merr shërbime nga shteti, ndonjë punë private bëjnë, jetojnë në gjendje gjysmë primitive, është turp për një vend që thotë se do të hyjë në Bashkimin Europian”, deklaroi Baze.


Shtuar 7.07.2025 21:19