Turjan Hyska: Do të doja ta kisha bërë një herë Big Brother-in

Prezantuesi dhe producenti i njohur, Turjan Hyska, ka ndarë së fundmi mendimet e tij për formatin më të ndjekur televiziv në Shqipëri, Big Brother VIP, gjatë një interviste në emisionin “Andale” të Dalina Buzit.

I njohur për projektet e tij të shumta në televizion dhe për eksperiencën e gjatë në prodhime argëtuese, Hyska nuk kurseu fjalët e mira për ekipin e Top Channel-it që realizon këtë spektakël gjigant.

“Big Brother-i i Top Channel-it, për gjykimin tim, është gjëja më e mirë e realizuar ndonjëherë në atë sektor. Nuk është aq e thjeshtë sa mendojnë njerëzit. Është një format tmerrësisht i vështirë”, u shpreh ai.
Tutje theksoi: “Për këtë heq kapelën dinë ta bëjnë atë”.

Më tej, Turjani pranoi se do të kishte dëshiruar të ishte pjesë e një projekti të tillë në rolin e moderatorit, por një mundësi e tillë nuk i është ofruar deri më tani.

“Atë do të doja ta kisha bërë unë një herë. Nuk më kanë ofruar ndonjëherë”, shtoi në vazhdimësi.

Këto deklarata kanë tërhequr vëmendjen e publikut, sidomos duke ditur se Hyska është një ndër figurat më aktive në televizionin shqiptar, me projekte dhe formate të tjera argëtuese që kanë fituar popullaritet të madh ndër vite.

Nëpërmjet komenteve të tij, Hyska shfaqi respektin profesional për një format që ka dominuar ekranet dhe ka shndërruar personazhet pjesëmarrëse në yje të vërtetë të shoubizit shqiptar.


Shtuar 13.11.2025 17:04