Turizmi në udhëkryq; Shkëlqimi i sezonit që lamë pas dhe zbehja e vitit 2023

Sezoni veror 2022, pavarësisht disa problemeve të shfaqura, është më i miri historik i Shqipërisë në numër vizitorësh. Fitimi i bizneseve, nga ana tjetër, është rrudhur për shkak të rritjes së kostove. Me mbylljen e këtij “revanshi” sezonal, sytë hidhen nga viti i ardhshëm dhe lajmet nuk janë të gjitha të mira. Agjencitë e huaja kanë konfirmuar praninë e polakëve dhe çekëve me kontrata garancie në rritje, si dhe hyrjen me grupe të organizuara nga tregu spanjoll. Por të gjitha këto zbehen nga lajmi se tashmë nordikët janë tërhequr nga kontratat me garanci, një goditje e madhe për turizmin tonë ende të brishtë. Arsyeja e këtij hapi pas, duket se është shërbimi i një cilësie të dobët. Tur-operatorët shqiptarë, ende mes diskutimesh për të rikthyer këtë grup me kushtet e mëparshme, kërkojnë që qeveria të bëjë pjesën e saj, duke investuar siç duhet në destinacionet turistike. Viti 2023 pritet të jetë një test për sektorin në tërësi, ku paralajmërohet se mungesa e stafit do të jetë “pandemia” e re

Nertila Maho

Tur-operatorët shqiptarë i ka gjetur fundi i sezonit veror dhe vjeshta në diskutime intensive me agjencitë ndërkombëtare, në një përpjekje për të konsoliduar marrëveshjet e vitit të ardhshëm, apo edhe përtej 2023.

Për një pjesë të mirë të grupeve, kontratat me garanci janë mbyllur prej kohësh, por nuk ka ndodhur kështu me një grup të rëndësishëm si nordikët.

Të rikthyer pas dy vitesh mungesë në bregdetin shqiptar, për shkak të kufizimeve nga COVID-19, kanë vendosur që në verën e ardhshme të mos lidhin kontrata të parapaguara, por të kalojnë në formën allotment (paguaj aq sa sjell). Për turizmin e organizuar në vend, ky është një kthim pas, i cili me hyrjen e nordikëve, kaloi në një tjetër ligë.

Ky grup, parapëlqen kryesisht standardin e lartë dhe zgjedhja e tyre e përfshiu Shqipërinë në hartën e një turizmi më elitar. Por diçka ka çaluar këtë sezon, që ka ndikuar në këtë lëvizje aspak pozitive për sektorin.

Ky është një paralajmërim për vendin që ka përballë një sfidë për të korrigjuar gabimet e bëra në një sezon dinamik siç ishte vera 2022 e duke fituar terrenin e humbur. Pavarësisht tërheqjes së nordikëve nga kontratat me garanci, jo të gjitha lajmet janë të këqija.

Në tërësi, disa grupe turistike të konsoliduar në vite janë në rritje dhe po kështu ka edhe tregje të reja, që po vijnë në mënyrë të organizuar me charter.

Shërbimi i dobët, nordikët tërhiqen nga kontratat me garanci

Shërbimi i një cilësie më të dobët në disa nga strukturat që kanë akomoduar nordikët gjatë verës është bërë shkak për vlerësim të ulët nga klientët.

Vlerësimi ka rënë nën nivelin 6, gjë që ka detyruar agjencinë “Apollo” që sjell charterat, të kalojë në rezervime të formës “allotment”, pra sa turistë sjell, aq paguan. Por shërbimi nuk është i vetmi që çalon dhe tur-operatorët shqiptarë janë të bindur se rol luan dhe infrastruktura e dobët dhe trafiku.

“Nga ajo që ne shohim ka një rënie të review (përshtypjeve) që ka ardhur nga mungesa e shërbimit apo rënia e cilësisë së tij në strukturat akomoduese. Një tjetër element që ka ndikuar mendoj se është infrastruktura.

Prej disa vitesh, ne i gënjejmë për trafikun, duke u premtuar zgjidhje siç na premtohet nga institucionet, por kjo nuk po zgjidhet. Rruga dytësore në Golem, sidomos, është problem i madh. Duhet menduar për një sistemim të plotë të zonës së Golemit, sepse është plot me inerte, lavazhe, karburante.

Nuk të jep idenë e një destinacioni turistik. Pjesa e hoteleve para është mirë në aspektin estetik, por edhe aty ka zhurma, ndërtime e kantiere të hapur në sezon. Të gjithë këto elemente kanë sjellë që vlerësimi i destinacionit, në këtë rast Shqipërisë, të ishte poshtë nivelit 6 nga pushuesit nordikë”, – pohon Rrahman Kasa, Kryetar i Unioni Turistik Shqiptar.

Arben Çipa, nga “SIPA Tours”, shprehet se ndoshta lëvizja e nordikëve lidhet edhe me faktin se tashmë e kanë njohur tregun shqiptar dhe janë të bindur që mund të sigurojnë kapacitet edhe pa hyrë në kontrata garancie.

“Agjencitë ndërkombëtare që menaxhojnë tregun e tyre janë të vjetra dhe me nuhatje. E monitorojnë terrenin dhe mendoj se e kanë kuptuar që kanë mundësi, qoftë me kontrata me garanci, apo edhe me formën ‘paguaj sa sjell’, të sigurojnë kapacitet” shprehet Çipa.

Fatos Çerenishti nga “FAFA Group”, shprehet se kjo tërheqje e nordikëve duhet të shihet me vëmendje, pasi ka ndikim përtej shifrave të tyre tek imazhi i përgjithshëm i Shqipërisë.

“Kur kemi parasysh shërbimin e dobët, nuk flasim për të gjithë hotelet, por ndikimi është shtrirë tek të gjithë, pasi Shqipëria vlerësohet si destinacion në tërësi dhe jo për çdo strukturë akomoduese.

Ata janë një kategori turisti që ka kërkesa të larta dhe duhet më shumë përpjekje nga ana jonë për të arritur cilësisë që duan. Duhet t’i mbajmë e t’i kemi si grup turizmi edhe për imazh, pasi sjellin ndikim pozitiv nëse janë të pranishëm si treg.

Kanë standard të lartë, por edhe shpenzojnë, dhe fakti që zgjedhin Shqipërinë na shton pikë në tregun ndërkombëtar të turizmit” nënvizon ai.
Polakët dhe çekët konfirmojnë rikthimin me shifra në rritje

Grupi më i konsoliduar në turizmin e organizuar mbeten polakët dhe pas tyre çekët. Për vitin e ardhshëm, këto grupe kanë nënshkruar kontrata me garanci, duke dhënë sigurinë e rikthimit, madje në shifra më të larta në raport me verën që lamë pas.

“Tregu polak dhe ai çek ka rritje edhe në vitin 2022, në raport me vitet më parë, por edhe në parashikimet për vitin tjetër. Kontratat me garanci janë më të larta në volum. Këto tregje janë më të qëndrueshëm te ne”, – pohon z. Kasa.

Duke pasur parasysh këtë qëndrueshmëri, tur-operatorët shqiptarë mendojnë se është e nevojshme që qeveria të investohet në aspektin diplomatik e politik, për të forcuar më tej këtë marrëdhënie.

“Vitin tjetër mendoj se qeveria duhet të gjejë formulën për të rritur bashkëpunimin me tregun polak, ose përmes kanaleve diplomatike, ose përmes investimit në nivel politik. Duhet të kemi angazhim më të madh të një zyrtarizmi të kësaj marrëdhënie, pasi tregu polak na ka shpëtuar në ditë të vështira dhe të mira.

Është më i qëndrueshëm dhe me rritje 30-40%. Gjithashtu është tregu më pak problematik për Shqipërinë dhe që na shkon më për shtat për stadin ku jemi sa i takon shërbimit. Ka numrin maksimal të turistëve ndër grupet e organizuara dhe po kështu të ditëve të operimit”, – shprehet z. Çipa.

Të njëjtën gjë thotë edhe z. Çerenishti duke theksuar se duke qenë se grupi i turistëve polakë dhe çekë menaxhohet më lehtë nga strukturat duhet t’i jepet më shumë rëndësi rritjes së numrit të tyre.

“Polakët dhe çekët janë turistë që menaxhohen më lehtë nga strukturat tona. Na përshtaten në mentalitet dhe ushqim. Mendoj se kjo është një pikë ku duhet të kapemi fort për ta rritur”, – shprehet ai.

Spanja hyn me kontrata garancie në Gjirin e Lalëzit, tentativa për tregun francez

Interesi për Shqipërinë në tërësi gjatë verës që lamë pas ishte i dukshëm nga vendet e Europës, por dhe më gjerë. Tur-operatorët raportuan për një rritje të pranisë së disa grupeve si spanjollët, italianët, francezët që mund t’i hasje kudo gjatë bregdetit.

Prurjet turistike në rritje nga këto vende kanë nxitur edhe agjencitë ndërkombëtare të studiojnë më në detaj mundësitë e kalimit në një tjetër fazë.

Pavarësisht negociatave aktive me palë të ndryshme, deri më tani i konfirmuar si një grup i ri në turizmin e organizuar është tregu i spanjollëve, të cilët do të vijnë si pjesë e ‘Melia’ në Gjirin e Lalëzit.

“Po përpiqemi që të sjellim të organizuar dhe me kontrata garancie tregun francez. Ai spanjoll vjen për herë të parë verën tjetër me ‘Melia’-n që ndodhet në Gjirin e Lalëzit. Do të jenë si fillim tre charter nga Spanja dhe dy nga Portugalia – pesë në javë në total”, – shprehet Rrahman Kasa nga Unioni Turistik Shqiptar.

Edhe Arben Çipa e sheh tregun spanjoll dhe atë italian potencial për rritje, qoftë në turizmin e organizuar, ashtu edhe në atë individual dhe nënvizon se vera që lamë pas ishte testi, pasi këto tregje zgjodhën masivisht bregdetin shqiptar, sidomos në Sarandë ku vinin përmes Korfuzit.

Turizmi patriotik, në ndjekje të ofertave të lira, bien shifrat e turistëve

Turizmi patriotik, grupi kryesor ku u mbështet Shqipëria gjatë pandemisë pësoi rënie gjatë verës së vitit 2022. Shkak sipas tur-operatorëve u bënë çmimet e rritura në bregdetin shqiptar, ofertat më të ulëta të ofruara nga fqinjët, si dhe kriza e përgjithshme e rritjes së çmimeve dhe kostos së jetesës.

“Këtë vit ka pasur rënie të konsiderueshme për shkak të hapjes së destinacioneve të tjera. Një pjesë i janë drejtuar Ulqinit, për shkak të ofertave me çmime më të ulëta. Ndikim në tkurrjen e numrave ka dhënë edhe rritja e çmimeve të hoteleve në Shqipëri për rezervimet e minutës së fundit, që janë tipike nga ai grup që njihet si turizëm patriotik”, – nënvizon z. Kasa.

Në muajt e verës, vende si Mali i Zi, Greqia apo Turqia paraqitën oferta agresive për të tërhequr turistët, duke u bërë destinacione kryesore për pushime ekonomike.

Sipas përfaqësuesve të strukturave akomoduese, kryesisht në zonën e Golemit, vëmendja ndaj turizmit patriotik është më e madhe, sepse janë frekuentues të bregdetit gjatë gjithë vitit.

“Turizmi patriotik duhet parë gjithmonë me vëmendje, pasi është një aset që përveçse kanë nostalgji për Durrësin dhe vijnë gjatë sezonit, janë frekuentues gjatë gjithë vitit. Në vitin 2022 nuk kanë qenë në shifra të larta edhe për faktin se Durrësi ishte i gjithi i rezervuar nga grupet e organizuara, por edhe rritjes së çmimeve”, nënvizon z. Çerenishti.

Masat e qeverisë për të garantuar ecuri më të mirë vitin e ardhshëm

Në deklarata publike, zyrtarë të qeverisë kanë nënvizuar se, teksa sezoni veror 2022 sapo është mbyllur, është momenti të nisin përgatitjet për sezonin 2023.

Operatorët turistikë vendas e gjykojnë këtë si një nismë pozitive, qoftë sa i takon ndarjes së plazheve, ashtu edhe ngritjes së vendeve të akostimit, por angazhimi i qeverisë duhet të jetë më serioz në destinacionet turistike, duke përmirësuar infrastrukturën dhe pamjen e tyre në tërësi.

“Qeveria e di dhe e pranon që turizmi ka rritje dhe kontribut të madh në ekonomi, ndaj për këtë arsye duhet të angazhohet me seriozisht që të paktën për ato destinacione të konsoliduara, që sjellin të ardhura të sigurta, të bëjë sistemimet e nevojshme.

Për Golemin, si një zonë me rritje të vazhdueshme për turizmin e organizuar, të alokohen fonde, që sistemojnë pamjen e parë të zonës. Le të themi të bëjë një ‘make up’. Të heqë inertet, varrezat e makinave, të krijojë gjelbërimin e hapësirave aty ku ka mundësi. Duhen pak fonde dhe më shumë vullnet që të rritet vlera”, – shprehet kreu i Unionit.

Lidhur me shërbimin më cilësor, tur-operatorët mendojnë se ndoshta ka ardhur momenti që qeveria të aplikojë formulën e disa vendeve të tjera që turizmin e kanë prioritar. Kjo ka të bëjë me një skemë mbështetjeje për punonjësit e sektorit jashtë muajve të sezonit.

“Nëse ne duam të jemi një destinacion turistik me shërbim cilësor, duhet të mbajmë dhe të trajnojmë punonjësit e sektorit. Duhet të zbatojmë skemat e vendeve të tjera për ta ruajtur këtë staf nga largimi, duke e trajtuar si aset.

Vende të tjera, jashtë sezonit turistik, i ofrojnë këtij stafi ndihmë ekonomike. Një pagë e cila e mbështet atë për nevojat që ka jashtë muajve të sezonit të verës, kur nuk ka një pagesë. Është një formulë e gatshme, e cila ka treguar se funksionon dhe duhet të jetë një bashkëpunim i biznesit me qeverinë, që ta ndajnë bashkë këtë detyrim.

Pavarësisht kostos ekonomike, garanton turizëm më cilësor nga një staf i kualifikuar”, – propozon Çipa.

Bumi turistik i Shqipërisë, hyrjet e të huajve u rritën me 18% në krahasim me para pandeminë

Shqipëria po përjeton në 2022 vitin më të mirë historik deri tani për sa i përket hyrjes së shtetasve të huaj, që si synim kryesor kanë turizmin.

Sipas të dhënave të INSTAT, në periudhën janar-shtator në vend hynë gjithsej 6.4 milionë shtetas të huaj. Kjo shifër është 32% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 18% më shumë se janar-shtatori i 2019-s, që mbante deri tani rekordin si viti më i mirë turistik, që më pas u ndërpre nga pandemia.

Vetëm në shtator, në vend hynë 761 mijë shtetas, me rritje 54% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 29% në raport me 9-mujorin e 2019-s.

Sipas INSTAT, 94% e hyrjeve të shtetasve të huaj kishin si qëllim vizitë personale tek të afërm, apo qëllime turistike.

Në shtator 2022, sipas INSTAT, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3,8 herë dhe Maqedonia e Veriut, me 3,3 herë, krahasuar me shtator 2021.

Gjatë 9-mujorit 2022, nga vendet me hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4,0 herë dhe Anglia me 2,0 herë, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 11,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Rriten ndjeshëm udhëtimet përmes ajrit

Sipas INSTAT, në 9-mujorin e vitit 2022, hyrjet dhe daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj sipas mënyrës së udhëtimit paraqiten:

Numri i shtetasve që hynë:

– Nga pikat ajrore është rritur me 83,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë;

– Nga pikat detare është rritur me 47,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë;

– Nga pikat kufitare tokësore është rritur me 25,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i shtetasve që kanë dalë:

¾ Nga pikat ajrore është rritur me 86,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë;

¾ Nga pikat detare është rritur me 57,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë;

¾ Nga pikat kufitare tokësore është rritur me 28,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./monitor

 

 


Shtuar 20.11.2022 07:13