Në Shqipëri turizmi natyror po njeh kohët e fundit një rritje si rezultat i rritjes së vizitorëve, sidomos nga jashtë vendit. Vetëm Parku Kombëtar i Divjakë -Karavastasë u vizitua vitin e shkuar nga rreth 500 mijë turistë.
Por organizatat mjedisore dhe studiuesit po shprehin gjithnjë e më shumë shqetësimin se zonat e mbrojtura natyrore janë të kërcënuara nga politika dhe veprimtari të paqëndrueshme ekonomike dhe sidomos nga ndërtimet.
Parku Kombëtar Divjakë- Karavasta është një nga pasuritë më të mëdha natyrore të Shqipërisë që vit pas viti njeh një rritje të vizitorëve, si vendas dhe të huaj.
Sipërfaqet e mëdha pyjore me pishë të butë, me pasurinë e florës dhe faunës, kombinohen me peisazhet e lagunës dhe mundësinë për plazhe në zonën bregdetare.
Drejtori i parkut Ardian Koçi thotë se vitin e shkuar rreth gjysëm milionë vizitorë ishin në Divjakë.
“Ka qenë një vit i sukseshëm, do të thoja, me mbi gjysëm milionë turistë që kanë vizituar Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta nga të cilët rreth 65 mijë ishin turistë të huaj”.
Zoti Koçi thotë se synimi është që turistët të qëndrojnë disa ditë në park dhe kjo përmes shtimit të tërheqjeve turistike.
“Kërkojmë që turisti që arrin këtu të mos qëndrojë disa orë, por disa ditë në park. Dhe kjo bëhet duke shtuar objekte turistike. Po punojmë për të shtuar destinacionet. Nga ana tjetër përparësi është mbrojtja e mjedisit të parkut dhe burimeve të tij. Kaluam një vit të vështirë me një verë tejet të thatë dhe me rrezikshmëri për zjarret edhe në stinët që pasuan kjo u përballua mjaft mirë nga punonjësit e parkut .”
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit vlerëson se vitin e shkuar në Shqipëri hynë mbi 7,5 milionë të huaj kryeisht për qëllime turistike. Një pjesë e madhe e vizitorëve kanë qenë drejt destinacioneve natyrore të vendit.
Shqipëria nuk e ka pasur më parë këtë mundësi, thotë Mirjan Topi, një studiues i shpendëve dhe mjedisit.
“Shqipëria kurrë nuk e ka pasur një mundësi të tillë, tashmë e ka duke marrë pararsysh zhvillimet që po ndodhin në nivel global dhe rritjen galopante të kërkesës për turizëm natyror. Prandaj biodiversiteti sot në Shqipëri është një pasuri, ndër të gjitha, ekonomik , dhe ka të bëjë me drejtimin që vendi duhet të marrë për sa i përket zhvillimit të turizmit”.
Në kushtet ku është sot Shqipëria, thotë më tej zoti Topi, duhet të përkrahet fuqimisht turizmi natyror në vend të turizmit masiv. Por së bashku me rritjen e interesit për turizmin natyror në Shqipëri po rritet shqetësimi për modelet e zhvillimit të tij.
Alkesandër Trajçe që drejton organizatën e Mbrojtjes së Natyrës PPNEA shprehet me tone kritike.
“Shqipëria ndodhet në një udhëkryq. Një nga sloganet më të përdorura nga autoritetet vendase është ‘Shqipëria është thesari i fundit i paeksploruar i Europës’ dhe me këtë slogan ne duam të tërheqim turistë nga pjesa tjetër e botës. Ky slogan bazohet në një të vërtetë shumë faktike që janë vlerat natyrore të vendit tonë. Dhe pikërisht janë këto vlera natyrore të paprekura ndër shekuj dhe ndër dekada që kanë shpresë të ndryshojnë faqen e vendit në aspektin e një turizmi pozitiv. Por realiteti që ne po shohim është se turizmi po kthehet në një shkatërrimtar të natyrës dhe nuk po nxitet një turizëm i qëndrueshëm mjedisor, që shkon krah për krak me natyrën. Një turizëm që fitimet që gjenerohen i kthehen vetë popullsië lokale, por shohim lindjen e një turizmi që shumë vende të Europës e kanë parë dhe më përpara, një turizëm masiv bazuar me vendpushime gjigande, bazuar në parimin që një apo shumë pak individë fitojnë dhe të gjithë humbasin”.
Ndërsa pedagogia e Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, Ermelinda Mahmutaj, thotë se kontradiktat në vendimarrjen shqiptare e dëmtojnë më shumë mjedisin.
“Mendohet se ne që mbrojmë mjedisin jemi fanatikë të moszhvillimit, por në fakt nuk është e drejtë. Ne mendojmë se duhet të zhvillohemi por thjesht kur të zhvillohemi të hedhim pas sytë dhe nga e gjelbërta. Unë mendoj se në Shqipëri ka modele shumë të mira zhvillimi, ka strategji shumë të mira zhvillimi të turizmit duke mbrojtur mjedisin sikurse ka dhe vendime të menjëhershme që shkojnë në dëm të tij. Pra këto kontradikta, qoftë edhe në vendimarrjen shqiptare e dënojnë më shumë natyrën shqiptare se sa zhvillimi turizmit.”
Vitin e shkuar qeveria shqiptare rishikoi hartën e zonave të mbrojtura natyrore duke hequr sipërfaqe të mëdha në disa parqe kombëtare dhe zona ligatinore ku tani po shfaqen projekte ndërtimore. Disa Organizata mjedisore e kanë paditur në gjykatë këtë vendimarrje duke kërkuar anullimin e kufijve të rinj.
Ndërkohë, 49 organizata kombëtare dhe ndërkombëtare mjedisore përmes një deklarate të përbashkët ditët e fundit shprehën shqetësimin se habitate natyrore në zonat e mbrojtura natyore janë të kërcënuara nga politika dhe veprimtari të paqëndrushme ekonomike.
Organizatat përmendin në reagimin e tyre ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë , ndërtime rezidenciale në Rezervatin Natyror të Kune-Vain , hidrocentralet në Zall-Gjocaj dhe Valbonë , investimet strategjike në formën e bujqësisë intensive në Divjakë-Karavasta si dhe qendrat e pushimit të planifikuara dhe disa në zhvillim në ish-zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit. /VOA