Drejtues të industrisë dhe ekspertë nga Europa, janë sot pjesë e një konference që po mbahet në Tiranë. Deputetja e PD-së Jorida Tabaku, deklaroi se Tirana ka potencial të jashtëzakonshëm për turizmin.
Tabaku tha se primare mbetet iniciativa e tregut të përbashkët, duke vlerësuar kontributin e BE-së në promovimin e bizneseve në vendin tonë.
Jorida Tabaku: “Tirana ka potencial të jashtëzakonshëm për turizmin. Primare është iniciativa e tregut të përbashkët. Për mua ekonomia është politika më e mirë e jashtme.
Të fokusohemi tek reformat që çojnë përpara biznesin. Tregu i përbashkët rajonal, që është edhe synim i procesit të integrimit, nuk duhet që të jetë i orientuar as tek politika, por duhet të jetë orientuar tek biznesi. Ne po hartojmë legjislacionin që ta afrojmë atë me vendet e BE-së, por problemi qëndron tek zbatimi i këtyre ligjeve.
Problem real janë edhe aksesi në treg, meritokracia. Duhet të kemi linjizëm të politikave ekonomike, tregtisë, politikave të mjedisit. Kur ka investitor të huaj, e harroj se jam pjesë e opozitës, sepse fokusohem tek potenciali që ka Shqipëria dhe tek politikat ekonomike për të ardhmen. Duhet të jemi konkurrues në treg. Legjislacionin e BE-së ta vendosim në dispozicion të zhvillimit ekonomik”.